Pozicioni i portierit mbetet një nga çështjet që kërkon zgjidhje në radhët e Vllaznisë, pas largimit të Leon Pohls. Gardiani gjerman, i cili ishte një nga pikat e rëndësishme të skuadrës në sezonin e fundit, ka lënë një boshllëk që klubi shkodran duhet ta mbushë përpara nisjes së sezonit të ri.
Aktualisht, alternativa kryesore në dispozicion është Aron Jukaj, një portier me potencial dhe që ka treguar cilësi sa herë është aktivizuar, por që duket ende i pamjaftueshëm për të përballuar i vetëm një kampionat të gjatë dhe me objektiva të rëndësishëm si Superiorja. Një repart kaq delikat kërkon konkurrencë dhe eksperiencë, sidomos në një skuadër që synon të jetë protagoniste.
Krahas Jukajt, kuqeblutë kanë afruar edhe elementë të rinj në këtë pozicion, të cilët konsiderohen investime për të ardhmen. Megjithatë, këta futbollistë kanë nevojë për kohën e tyre për t’u përshtatur me nivelin dhe presionin e Kategorisë Superiore, ku gabimet në portë shpesh kanë një kosto të madhe.
Për këtë arsye, drejtuesit e Vllaznisë e kanë kthyer në prioritet afrimin e një portieri cilësor dhe me eksperiencë. Një gardian që jo vetëm të garantojë siguri mes shtyllave, por edhe të sjellë qetësi dhe autoritet në prapavijë, duke qenë një pikë referimi për pjesën tjetër të skuadrës.
Sipas informacioneve që janë bërë të ditura edhe më herët, klubi shkodran ka lëvizur në këtë drejtim dhe ka “prenotuar” një emër me eksperiencë për katërkëndorin. Konkretizimi i kësaj marrëveshjeje pritet të ndodhë në ditët në vijim, me Vllazninë që synon ta mbyllë sa më shpejt një nga çështjet më të rëndësishme të merkatos së verës.
