Qeveria në detyrë ka miratuar projekt-rregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit të zjarrfikësve. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se projekt-rregullorja për zhvillimin e procedurave të rekrutimit për zjarrfikës, standardizon procesin e përzgjedhjes dhe forcon kapacitetet profesionale të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe të shpëtimit.
Kurti tha se projekt-rregullorja është në përputhje me prioritetet e Planit Kombëtar për Zhvillim 2026-2028. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se projekt-rregullorja është hartuar në kuadër të planit të akteve nënligjore për vitin 2026 dhe synon krijimin e një sistemi të unifikuar e transparent të rekrutimit të zjarrfikësve.
“Shërbimi i zjarrfikjes dhe shpëtimit paraqet një ndër komponentët më të rëndësishëm të sistemit të sigurisë publike dhe menaxhimit të emergjencave në Republikën e Kosovës. Funksionimi efikas i këtij shërbimi varet drejtpërdrejt nga disponueshmëria e personelit profesional, të trajnuar dhe të përgatitur për t’ju përgjigjur rreziqeve dhe situatave emergjente”- tha Sveçla.
Ai tha se me qëllim të krijimit të një sistemi të unifikuar, transparent dhe të bazuar në meritë për përzgjedhjen e personelit zjarrfikës, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar këtë projekt-rregullore e cila përcakton procedurat, kriteret standarde dhe përgjegjësitë institucionale për rekrutimin e zjarrfikësve në Republikën e Kosovës në përputhje me dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë.
“Duke pasur parasysh se jemi në prag të sezonit të verës, periudhë gjatë së cilës rritet ndjeshëm rreziku nga zjarret, nevoja për shtimin dhe fuqizimin e kapaciteteve njerëzore në shërbimin e zjarrfikjes dhe shpëtimit bëhet edhe më e domosdoshme”- shtoi Sveçla. KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar në lidhje me problemet, protestat e gjendjen në të cilën punojnë zjarrfikësit.
Në vitin 2025, kur Kosova u përballë me vatra të shumta zjarri, KALLXO.com publikoi një hulumtim se si zjarrfikësit kanë ngritur shqetësime se janë të papajisur për kriza të përmasave të mëdha. Edhe në vitin 2024, KALLXO.com, ka publikuar një hulumtim ku shpërfaqej realiteti ku ata punojnë çdo ditë.
Aty përshkruhet fare mirë se përveç tymit e flakëve me të cilat përballen në terren, shumë zjarrfikës në Kosovë kur kthehen në stacionin e tyre pas intervenimeve, përballen edhe me kushte të rënda e të mjerueshme në objektet e punës.
Në vitin 2021 poashtu KALLXO.com publikoi një hulumtim që tregonte për thuajse problemet e ngjashme të zjarrfikësve – nga mungesa e pajisjeve për të shuar zjarrin në kate të larta.
