Shpërndaje në: Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e ka quajtur të vonuar mbajtjen e seancës konstituive më 6 gusht. Ai ka thënë se caktimi i kësaj date të seancës është edhe “institucionalisht i papërgjegjshëm”. Cakolli ka sqaruar se 6 gushti paraqet problem edhe për afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
“Pjesa më problematike e caktimit të seancës më 6 gusht lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se, në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij.
Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar tutje se më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit, e nëse procedura e zgjedhjes së presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit tashmë do të ketë përfunduar.
“Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit, që është i vetmi funksion me mandat kushtetues për ta formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për ta propozuar mandatarin për Kryeministër”, ka deklaruar Cakolli.
