BE-ja gjobit rëndë Google-n, SHBA paralajmëron për pasoja

0%

Marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara rrezikojnë të tensionohen sërish pasi Komisioni Evropian gjobiti kompaninë Google me 890 milionë euro për shkelje të rregullave të tregut digjital të BE-së.

Vendimi ka nxitur reagim të ashpër nga Uashingtoni, ku Përfaqësuesi Amerikan për Tregtinë, Jamieson Greer, deklaroi se masa e Brukselit rrezikon dialogun mes dy palëve për rregullimin e sektorit digjital, si dhe marrëveshjen tregtare të arritur vitin e kaluar mes SHBA-së dhe BE-së.

Administrata e presidentit Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht rregulloret digjitale të Bashkimit Evropian, duke i cilësuar ato si barriera jotarifore ndaj kompanive amerikane të teknologjisë dhe si masa që godasin në mënyrë të padrejtë gjigantët amerikanë të teknologjisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinho, tha se Brukseli mbetet i hapur për dialog me SHBA-në, duke theksuar se BE-ja do të mbrojë njëkohësisht autonominë e saj rregullatore, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Ndërkohë, 25 ligjvënës amerikanë i kanë kërkuar presidentit Trump të nisë një hetim ndaj praktikave tregtare të Bashkimit Evropian, ndërsa kryetari i Komisionit për Tregtinë në Parlamentin Evropian, Bernd Lange, paralajmëroi se pret hapa të tjerë nga SHBA, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e marrëdhënieve transatlantike.

Pavarësisht marrëveshjes tregtare të arritur në korrik 2025 mes Donald Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zyrtarët evropianë vazhdojnë t’i konsiderojnë marrëdhëniet me SHBA-në si të paqëndrueshme. Së fundmi, Shtëpia e Bardhë njoftoi edhe tarifa të reja ndaj partnerëve tregtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, me arsyetimin e shqetësimeve për punën e detyruar.

Brukseli nuk reagoi me kundërmasa, duke argumentuar se tarifat e reja respektojnë kufirin prej 15 për qind të parashikuar në marrëveshjen tregtare mes dy palëve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com