Partizani ka zyrtarizuar përforcimin e radhës në prag të sezonit të ri, duke nënshkruar me sulmuesin anësor nga Gjilani, Altin Aliu. Klubi kryeqytetas ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me 26-vjeçarin, i cili i bashkohet të kuqve pas një sezoni të suksesshëm me Malishevën.
Aliu ishte një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës malishevase edicionin e kaluar, duke kontribuar me 8 gola dhe 3 asistime. Sulmuesi ka nënshkruar kontratë 1+1 me Partizanin, ndërsa kjo do të jetë eksperienca e tij e parë në kampionatin shqiptar. “Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me Altin Aliun.
Sulmuesi anësor nga Gjilani i bashkohet të kuqve pas sezonit të suksesshëm me nënkampionët e Malishevës”, thuhet në njoftimin e klubit. Aliu do t’i bashkohet menjëherë skuadrës në Pogradec, ku do të vihet nën urdhrat e trajnerit Florin Bratu për të nisur përgatitjet me ekipin e ri.
