Shpërndaje në: Analisti politik Burim Korqa ka vlerësuar se zgjedhjet e reja nuk i konvenojnë asnjë partie politike, e sidomos Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës. Në “Konfront” të KTV-së, ai e ka cilësuar situatën aktuale politike “jo shumë negative” sa ishte pas zgjedhjeve paraprake.
Sipas tij, tash Vetëvendosje është hapur për bisedime me parti tjera edhe pse i ka votat e mjaftueshme për Qeverinë. Ai ka thënë se gjasat e vetme për koalicion janë VV-LDK sepse PDK-ja veçse është deklaruar për të qenë në opozitë. “Krejt varet nga situata në LDK sa i përket një koalicioni të mundshëm.
S’do të thotë që nëse s’mund të arrihet një marrëveshje për qeveri, të përjashtohet edhe një konsensus i përgjithshëm për presidentin.
S’i konvenon asnjë partie të shkohet sërish në zgjedhje, e sidomos LDK-së që është në situatë shumë të pafavorshme, por në të njëjtën kohë edhe Aleancës duke marrë parasysh se nëse shkohet në zgjedhje në dhjetor – sipas të gjitha gjasave ndikimi i votës së diasporës mund të jetë i madh dhe ta rrisë daljen e partitë tjera të zvogëlohen në përqindje e të mos e kalojnë pragun”, ka thënë ai.
Liderët e LVV-së dhe të LDK-së janë takuar pas certifikimit të zgjedhjeve. Pasi të dy shprehën optimizëm dhe u zotuan për vazhdim diskutimesh për formim të institucioneve, në LDK u iniciua thirrja për një Kuvend të jashtëzakonshëm për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku. Ai e pezulloi procesin e negocimit me VV-në deri në mbajtjen e këtij kuvendi.
Të premten, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, do ta bëjë publike datën për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit. Afati është deri më 7 gusht.
