Haxhiu: Data e seancës do të shpallet të premten

0%

Javën e parë të muajit gusht pritet të mblidhet legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se data zyrtare e seancës konstituive do të shpallet këtë të premte.

Në këtë kontekst, Haxhi ka nënvizuar se nuk është nxituar me caktim të datës, për t’u lënë hapësirë partive politike që të vazhdojnë negociatat për arritjen e një marrëveshjeje, veçanërisht rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.

Ndërkohë, takimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti me opozitën, i ka quajtur pozitive, ndonëse bisedimet me LDK-në aktualisht janë pezulluar për shkak të zhvillimeve të brendshme në këtë parti.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, sheh të nevojshme takime të vazhdueshme mes ushtrueses së detyrës së presidentes dhe partive politike, si dhe diskutime për krijimin e një koalicioni qeverisës, duke shtuar se partitë politike duhet shtuar angazhimet për të anashkaluar krizat politike.

“Duke njohur këtë klasë politike si të papërgjegjshme fatkeqësisht, shumë të papërgjegjshme madje, dhe kontraverse pse jo, sot thonë diçka, nesër diçka tjetër, e bëjnë edhe të tretën, pra nuk jam shumë optimist, por rrethanat janë të tilla që këta nuk do të duhej të shkonin në zgjedhje edhe një herë sepse do të jetë fatale në kuptimin politik për të gjitha subjektet politike, për kënd më shumë e kënd më pak”, ka thënë Mazllum Baraliu, profesor universitar.

Edhe njohës të fushës së politikës, kërkojnë më shumë përgjegjësi nga të gjithë aktorët politikë, duke shtuar se Kosova nuk ka më hapësirë për zvarritje, pasi çdo ditë pa institucione funksionale ndikon negativisht në proceset reformuese dhe në aspiratat euroatlantike të vendit.

“Siç duket thellimi i krizës së brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka me vështirësuar edhe më shumë procesin për të shkuar tutje, sepse ne e dimë që çdo ujdi pastaj që del nga ky subjekt politik do të penalizohej ndoshta me mungesën e disa votave, e kur e dimë sa e rëndësishme është secila votë.

Me PDK-në edhe realisht edhe në të kaluarën edhe tani kemi pasur një hezitim të bashkëpunimit ndoshta për faktin që janë dy subjektet më të mëdha në vend, me një diferencë të madhe, por megjithatë janë dy subjekte politike në vend, mund të kemi një bashkëpunim që do të krijonte zgjidhje për shumë çështje dhe shumë problematika” , ka thënë Fatime Hajdari, analiste politike.

Me seancën konstituive që pritet të mbahet në javën e parë të gushtit, vëmendja mbetet te negociatat mes partive politike. Mbetet të shihet nëse ditët në vijim do të sjellin kompromisin e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Burimi: Bota Sot