Gjykata italiane dënon me 100 vite burg pjestarët e “klanit” Çela

0%

Gjykata e Breshias ka dënuar me gjithsej 100 vjet burg 15 persona të akuzuar si pjesëtarë të klanit “Çela”, një organizatë kriminale që dyshohet se kishte krijuar një rrjet të fuqishëm për trafikun dhe shpërndarjen e kokainës në veri të Italisë.

Në mesin e të dënuarve janë edhe vëllezërit nga Elbasani, Shkëlqim dhe Gerardo Pashja, të cilët, pas gjykimit të shkurtuar, morën së bashku 29 vjet burg. Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, grupi i lidhur me Suel Çelën kishte ngritur në Breshia një bazë për magazinimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës.

Në skemën kriminale dyshohet se ishin përfshirë edhe disa shtetas italianë. Simone Paolisso, Roberto Gottardi dhe Fabrizio Manza merreshin me transportimin dhe ruajtjen e drogës, ndërsa Marco Morandi shërbente si ndërmjetës mes grupit dhe drejtuesve të organizatës. Hetuesit kanë zbuluar se rrjeti furnizonte me kokainë zonat e Liqenit të Gardës, Veronës dhe Breshias.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një prej episodeve kryesore të dosjes është sekuestrimi i 250 kilogramëve kokainë të pastër në Verona, në nëntor të vitit 2021. Sipas autoriteteve, droga ishte destinuar për bazën e grupit në Breshia. Zbërthimi i komunikimeve në platformën e koduar Sky ECC ka luajtur rol të rëndësishëm në hetime.

Autoritetet italiane, në bashkëpunim me SPAK-un, arritën të rindërtonin veprimtarinë dhe strukturën e grupit. Sipas dosjes, drejtuesit e organizatës udhëtonin në Kolumbi dhe Ekuador për të negociuar drejtpërdrejt me furnizuesit e kokainës, ndërsa lëviznin edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë Dubain.

Ngarkesat dyshohet se mbërrinin fillimisht në portet e Belgjikës dhe Holandës, nga ku transportoheshin me kamionë drejt magazinave të marra me qira në Breshia. Më pas, kokaina shpërndahej te grupe të tjera kriminale në qytete të ndryshme të veriut të Italisë.

Droga shitej me shumicë për rreth 40 mijë euro për kilogram, ndërsa fitimet dyshohet se transportoheshin drejt Shqipërisë përmes autobusëve të linjës Breshia–Elbasan. Në të njëjtin proces, me tetë vjet burg është dënuar edhe Genti Berisha. Ai akuzohet se më 23 qershor përplasi për vdekje një polic në Milano, gjatë tentativës për t’u larguar.

Berisha u kishte deklaruar prokurorëve se nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, pasi në automjet kishte lëndë narkotike, konkretisht hashash. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com