BE-ja miraton paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, goditen

0%

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar paketën e 21-të të masave kufizuese ndaj Rusisë, duke zgjeruar sanksionet ndaj sektorëve financiarë, energjetikë, ushtarakë dhe tregtarë që ndihmojnë Moskën ta financojë luftën kundër Ukrainës. Paketa përfshin 218 persona dhe subjekte të reja të sanksionuara, përkatësisht 48 individë dhe 170 subjekte juridike.

Sipas BE-së, bëhet fjalë për numrin më të madh të emërimeve individuale të miratuara në një paketë gjatë katër vjetëve të fundit. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, deklaroi se masat synojnë ta rrisin presionin ndaj Rusisë për ta ndërprerë luftën dhe për t’u angazhuar në negociata serioze.

“Rusia do të negociojë për t’i dhënë fund luftës së saj të paligjshme dhe do të ndalojë vrasjen e civilëve vetëm nëse detyrohet. Sanksionet tona e rrisin këtë presion”, deklaroi Kallas. Në sektorin financiar, BE-ja ka sanksionuar 94 banka dhe institucione të mëdha financiare ruse, ndërsa ka zgjeruar ndalimin e transaksioneve edhe ndaj 33 institucioneve të tjera.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Masat përfshijnë gjithashtu banka dhe institucione jashtë Rusisë, të cilat dyshohet se e kanë ndihmuar Moskën t’i shmangë kufizimet evropiane. Për herë të parë, Bashkimi Evropian ka krijuar mundësinë për ndalimin e plotë të transaksioneve me platformat e kriptomonedhave në vende të treta, në rast se ato përdoren për shmangien e sanksioneve.

Në sektorin e energjisë, është pezulluar deri më përshtatja automatike e tavanit të çmimit të naftës ruse. Sipas Reuters, tavani do të mbetet në 44.10 dollarë për fuçi për një periudhë 12-mujore, për të parandaluar që Rusia të përfitojë nga rritja e çmimeve të energjisë.

Në listën e sanksioneve janë shtuar edhe 41 anije, duke e çuar në 673 numrin e përgjithshëm të mjeteve lundruese të lidhura me të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë.

BE-ja ka sanksionuar gjithashtu kompani dhe individë të përfshirë në funksionimin e kësaj flote, si dhe tri rafineri në Rusi, një rafineri të madhe në Bjellorusi dhe kompani të tregtimit të naftës që dyshohet se kanë ndihmuar në anashkalimin e kufizimeve.

Sa i përket gazit natyror të lëngshëm, kompanitë evropiane do të detyrohen të raportojnë shitjen e anijeve cisternë për transportimin e LNG-së. Paketa krijon mundësinë për vendosjen e kufizimeve të reja, me qëllim që këto anije të mos rishiten në Rusi ose të mos përdoren në interes të saj. Masat e reja prekin edhe kompleksin ushtarako-industrial rus.

Në listë janë përfshirë 56 persona dhe kompani, prej të cilave 37 janë të lidhura drejtpërdrejt me prodhimin dhe furnizimin e dronëve me rreze të gjatë veprimi. Njëkohësisht, 51 kompani të tjera janë përfshirë në listën e subjekteve ndaj të cilave zbatohen kufizime më të rrepta për eksportin e produkteve me përdorim të dyfishtë dhe teknologjive të avancuara.

Disa prej tyre ndodhen në Kinë, Indi, Kazakistan, Kirgistan, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. BE-ja ka zgjeruar gjithashtu ndalimin e eksportit të materialeve dhe pajisjeve që mund të përdoren për prodhimin e avionëve, dronëve dhe raketave.

Kufizime të reja janë vendosur edhe ndaj importeve që i sigurojnë Rusisë të ardhura të konsiderueshme, përfshirë xehe, metale, produkte qelqi dhe pjesë automjetesh. Paketa krijon edhe bazën ligjore për vendosjen e një ndalimi të përgjithshëm të vizave për ushtarët dhe ish-ushtarët rusë, si dhe për anëtarët e grupeve të armatosura që kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës.

Data e hyrjes në fuqi të kësaj mase do të vendoset më vonë nga Këshilli. Në listën e sanksioneve janë përfshirë edhe tetë persona të akuzuar për përhapjen e propagandës ruse, si dhe një gjeneral-major i akuzuar për tortura, ekzekutime dhe keqtrajtim të ushtarëve e robërve ukrainas.

Bashkimi Evropian ka ritheksuar se do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën dhe ta rrisë presionin ndaj Rusisë, me synimin për t’i dobësuar të ardhurat nga energjia, sistemin financiar dhe aftësinë e saj për ta financuar luftën. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com