Çdo aksident me pasoja fatale përfundon pothuajse me të njëjtin komunikatë: “Shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar.” Por në një shtet serioz nuk mjafton të hetohet vetëm aksidenti. Duhet të hetohet edhe sistemi që kishte për detyrë ta parandalonte atë. Në Kosovë është krijuar një kulturë e rrezikshme institucionalizimi të tragjedisë.
Humbja e jetëve në komunikacion dhe në vendet e punës trajtohet si pasojë e pakujdesisë individuale, ndërsa shumë rrallë shtrohet pyetja nëse infrastruktura, sinjalizimi, organizimi i trafikut, mbikëqyrja institucionale dhe reagimi preventiv kanë qenë në nivelin që kërkojnë standardet moderne të sigurisë.
Tragjedia e fundit, ku tre qytetarë nga Kosova humbën jetën pranë hyrjes së autostradës drejt Aeroportit të Shkupit, e riktheu këtë debat. Familjarët deklaruan publikisht se në vendngjarje mungonte sinjalizimi i qartë rrugor, ndërsa raportime mediatike ngritën dyshime për mungesë ose pamjaftueshmëri të shenjave paralajmëruese.
Natyrisht, këto pretendime duhet të verifikohen nga hetimi zyrtar. Por vetëm fakti që lind një dyshim i tillë tregon se hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm te drejtuesi i automjetit. Duhet të shqyrtohet edhe nëse infrastruktura ishte projektuar, sinjalizuar dhe mirëmbajtur sipas standardeve të sigurisë. Ky është dallimi ndërmjet një shteti që reagon dhe një shteti që parandalon.
Edhe në Kosovë, numri i aksidenteve fatale dhe i viktimave në vendet e punës mbetet shqetësues. Pas çdo tragjedie dëgjojmë ngushëllime, por shumë rrallë dëgjojmë për auditime të sigurisë, hetime administrative ose analiza profesionale mbi gjendjen e rrugës, sinjalistikës apo organizimit të punimeve.
Në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara, siguria rrugore nuk mbështetet vetëm te respektimi i rregullave nga shoferi. Ajo mbështetet në një sistem të tërë mbrojtës. Kur zhvillohen punime në autostradë, nuk vendosen vetëm tabela.
Përdoren automjete të posaçme mbrojtëse me drita të verdha pulsuese, tabela elektronike dhe shigjeta drejtuese, të vendosura në mënyrë strategjike për t’i paralajmëruar drejtuesit e mjeteve shumë përpara zonës së rrezikut. Këto automjete mbrojnë punëtorët, por njëkohësisht mbrojnë edhe vetë shoferët. Po aq e rëndësishme është prania parandaluese e policisë.
Në shumë shtete, patrullat vendosen në segmentet ku zhvillohen punime ose ku është identifikuar rrezik i lartë. Vetë prania e automjetit të policisë me drita alarmuese ul shpejtësinë e qarkullimit dhe rrit vigjilencën e drejtuesve të automjeteve. Një praktikë tjetër që mungon pothuajse tërësisht është patrullimi aktiv i autostradave.
Në shumë vende funksionojnë shërbime të posaçme të patrullimit të autostradave, të cilat qarkullojnë vazhdimisht dhe monitorojnë gjendjen e trafikut. Këto ekipe nuk kufizohen vetëm në kontroll.
Ato ndihmojnë shoferët që pësojnë defekte teknike, largojnë automjetet e mbetura në korsitë e qarkullimit, sinjalizojnë menjëherë rreziqet, komunikojnë në kohë reale me Policinë, zjarrfikësit dhe emergjencën dhe sigurojnë vendin e ngjarjes deri në mbërritjen e autoriteteve kompetente. Shpesh, pikërisht këto ndërhyrje të shpejta pengojnë aksidentet zinxhirore dhe shpëtojnë jetë.
Në Kosovë, përkundrazi, ndërhyhet kryesisht pasi tragjedia ka ndodhur. Po aq shqetësuese është situata edhe në vendet e punës, sidomos në sektorin e ndërtimit. Humbja e jetëve nuk mund të trajtohet vetëm si pasojë e pakujdesisë së punëtorit.
Në shumë raste ajo lidhet me mungesën e mbikëqyrjes profesionale, me moszbatimin e standardeve të sigurisë dhe me kontrollet e pamjaftueshme institucionale. Prandaj, debati duhet të ndryshojë.
Pyetja nuk duhet të jetë vetëm: “Kush ishte fajtor?” Pyetja duhet të jetë: “A funksionoi sistemi që kishte detyrimin ta parandalonte tragjedinë?” Nëse përgjigjja është jo, atëherë përgjegjësia nuk është vetëm individuale. Ajo është edhe institucionale. Kosova nuk ka nevojë vetëm për autostrada të reja. Ajo ka nevojë për autostrada të menaxhuara sipas standardeve të vendeve të zhvilluara.
Kjo nënkupton një auditim kombëtar të sinjalistikës rrugore, identifikimin e të gjitha pikave të rrezikut, vendosjen e automjeteve mbrojtëse në çdo kantier rrugor, praninë parandaluese të Policisë në segmentet kritike, krijimin e një shërbimi të patrullimit të autostradave që funksionon 24 orë në ditë, monitorimin inteligjent të trafikut dhe kontrolle të rregullta të sigurisë nga ekspertë të pavarur.
Mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për një kulturë të re të përgjegjësisë. Në demokracitë e konsoliduara, tragjeditë e përsëritura nuk mbyllen me një konferencë për media. Ato pasohet nga hetime të plota, auditime teknike dhe, kur provohet neglizhenca, nga përgjegjësi administrative, civile dhe politike.
Jeta e qytetarit nuk mbrohet vetëm me ligje. mbrohet me institucione që funksionojnë, me standarde që zbatohen dhe me përgjegjësi që nuk shmanget. Sepse çdo jetë e humbur që mund të ishte shpëtuar nuk është vetëm tragjedi familjare. Është dëshmi se shteti ka dështuar në detyrën e tij më themelore: mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
