Parlamenti i Francës ka miratuar ligjin me të cilin ua ndalon mediat sociale personave nën 15 vjeç nga janari i vitit 2027, duke e bërë atë vendin e parë europian që ua bllokon të rinjve qasjen në platformat sociale, ka raportuar të mërkurën () televizioni britanik, BBC .
Ligji nënkupton se të gjithë në Francë duhet ta verifikojnë moshën për qasje në mediat sociale dhe aprovohet në kohën kur Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian po zhvillojnë planet e tyre kufizuese si përgjigje ndaj shqetësimeve për shëndetin mendor të fëmijëve.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka mirëpritur këtë veprim, për të cilin është zotuar ta paraqesë që ta shënojë fundin e dekadës së tij në krye të vendit. Ndërsa skeptikët kanë vënë në dyshim qëndrueshmërinë e ligjit, qeveria ka këmbëngulur që mjetet online për të vendosur kontrollet e moshës janë efektive dhe të sigurta.
Si Senati francez, ashtu edhe Asambleja Kombëtare e aprovuan ndalimin të martën (), pavarësisht kritikave nga disa përfaqësues të majtë. Ligji do të zbatohet në dy faza: Nga shtatori, personat nën 15 vjeç nuk do të jenë në gjendje të hapin llogari dhe verifikimi i moshës do të kërkohet në të gjitha llogaritë e reja.
Në janar 2027, ky rregull do të zbatohet për të gjitha llogaritë ekzistuese – që do të thotë se të gjithë në Francë do të duhet të vërtetojnë se janë mbi 15 vjeç për të përdorur mediat sociale.
Sapo të hyjë në fuqi ndalimi, platformat e mediave sociale do të duhet të përdorin mjete verifikimi të moshës të miratuara nga rregullatori francez i privatësisë, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
Por janë ngritur shqetësime kur vjen puna te privatësia, efikasiteti i mjeteve të verifikimit të moshës, rreziqet e anashkalimit të tyre nga të rinjtë dhe shpejtësia me të cilën është hartuar dhe zbatuar ndalimi, raporton agjencia franceze e lajmeve, AFP.
Ministrja franceze e Digjitalizimit, Anne Le Henanff, ka mbrojtur para votimit ngutinë e zbatimit të ligjit, “sepse mjetet e verifikimit të moshës tashmë ekzistojnë”, ka shtuar agjencia. Franca është vendi i dytë pas Australisë që fuqizon këtë ndalim.
Pavarësisht se Australia e ndaloi në dhjetor qasjen e personave nën 16 vjeç në mediat sociale, pranohet gjerësisht se shumë prej tyre vazhdojnë t’i përdorin platformat. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
