Humori i Fatbardh Mirit ishte po aq i zymtë sa edhe koha. Ai vinte nga zonat malore të vendit, por përmbytjen e Shkodrës e kishte përjetuar si plagë të vetën, sepse atje kishte shumë miq. Njërin prej tyre e kishte telefonuar një natë më parë. – Dëgjo, ne kemi qenë shokë fakulteti. Merr gruan dhe fëmijët. Shtëpia ime është edhe e jotja, për aq kohë sa të kesh nevojë.
Atë ditë ishte i vrenjtur. Vetëm ndizte cigare pas cigareje, ndonëse zakonisht nuk pinte as duhan e as alkool. Kur i kishin thënë se duhej të dilte për kontroll, ishte ndier sikur ta kishin fyer, por e kishte përmbajtur veten dhe nuk kishte folur. Makina mori rrugën drejt Zadrimës. Shiu binte pa pushim. Kishin kaluar njëri pas tjetrit disa dyqane.
Kontrollet ishin thuajse formale, ndonëse urdhri që kishte marrë ishte i qartë: të vendoste gjoba, sepse të ardhurat e vitit nuk ishin realizuar, arka e shtetit ishte bosh dhe rrogat e fundvitit rrezikonin të mos jepeshin. Fatbardhi nuk pranonte t’u bindej urdhrave të tillë. I dukeshin të padrejtë dhe pa vend.
Përkundrazi, nga kursimet e veta kishte ndarë një shumë sa tri paga mujore dhe ia kishte dërguar shokut të fakultetit, shtëpia e të cilit ishte zhdukur nën ujë. Më në fund hynë në dyqanin kryesor të fshatit, ngritur mbi një kodër të ulët në zemër të Zadrimës.
Pas prezantimit, që Fatbardhit i dukej gjithmonë i bezdisshëm, dhe pas ndërhyrjeve të vazhdueshme të kolegut të tij – një burrë me mustaqe të holla, që i pëlqente të fliste me zë të lartë kur kishte publik dhe të heshtte kur dikush i thoshte “ulu” – ai nisi kontrollin rutinë. – Ju lutem, dokumentet e biznesit, – tha Fatbardhi. Pronari ngriti sytë. – Më fal…
Ti je shefi këtu? – Po, por punojmë si ekip. – Lëre ekipin, mik i dashtun. Unë pyeta për shefin. Nëse je ti, dua të bisedoj vetëm me ty. Këta të tjerët le të mos ndërhyjnë. Para meje s’kanë ç’të thonë. Me një lëvizje të dorës tregoi kolegun fodull dhe dy inspektorët e tjerë. Dukej qartë se i njihte mirë dhe se ua dinte edhe bëmat. – Në rregull, – tha Fatbardhi me qetësi.
Pastaj iu kthye kolegut. – Këtë pjesë të kontrollit po e zhvilloj unë. Ju lutem, mos ndërhyni. Tjetri nuk foli. Vetëm shtrëngoi buzët dhe u tërhoq një hap prapa, si njeri që humbet një lojë ku e ka pasur zakon të fitojë. Nuk ishte vartësi i tij, por e kuptoi nga toni se çdo ndërhyrje do të ishte e tepërt. – Mirë, Mark, ta fillojmë me dokumentet. – Posi… I kam të gjitha. Të gjitha.
Po unë po çmendem prej dhimbjes… prej gjynahut. Sa gjynah! Fatbardhi e kuptoi menjëherë se pas atyre fjalëve fshihej diçka. Në fillim iu dukën si ironi, por nuk po arrinte të merrte vesh ku donte të dilte Marku. – Pse, Mark? Ç’është kjo që të ka trazuar kaq shumë? Apo nuk do që ta bëjmë kontrollin?
Teksa fliste, mbylli bllokun e kontrolleve, sikur t’i tregonte se ishte gati ta ndërpriste gjithçka, nëse ishte vërtet përballë një halli. – Po çmendem, Fatbardh… – vijoi Marku. – Po çmendem për qenin. Sa gjynah! Qante… qante dhimbshëm, siç dinë të qajnë vetëm qentë. Veç ta dëgjoje! Ishte i lidhur. Nuk kishte si të shpëtonte prej atij rrethi hekuri.
Lëshonte dy ulërima të shkurtra: au, au…, pastaj një auuuuuu të gjatë, që të fuste nën dhe. Në atë çast ngriti zërin e televizorit. – Dëgjoje! Dëgjoje! Nga ekrani dëgjohej zëri i spikerit: – Janë çmendur lumenjtë. Po, janë çmendur lumenjtë. Opozita grindavece thotë se qeveria nuk punon. Shkodra është përmbytur gjithmonë.
E mbaj mend të përmbytur Zdralen, Xhabiajn, lagjen Skënderbeg… gjithë Shkodrën… Menjëherë pas tij, kamera u ndal te një plakë rreth të nëntëdhjetave, e shtrirë në një krevat që lundronte mbi ujë. – Jo, bir… – thoshte ajo. – Kurrë nuk e mbaj mend kështu. Kurrë. Është përmbytur Nënshkodra, po jo kështu… Jo kështu… Marku uli zërin e televizorit.
Fatbardhi deshi të fliste, por ai nuk e la. – Dëgjo, Fatbardh… Unë i kam të gjitha dokumentet. Po lus Zotin të mos kesh takuar gruan time. Është prej Shkreli… e hollë si një thes leshi. Fatbardhi nuk po arrinte të kuptonte ku donte të dilte. Kolegu i tij ishte nga Shkreli. Mos vallë e kishte fjalën për të? Nuk tha asgjë. – I kam të gjitha dokumentet, – përsëriti Marku.
Megjithatë nuk hapi asnjë sirtar. Rrinte me duart mbi banak, sikur dokumentet të mos kishin më asnjë rëndësi. Pastaj nisi sërish, por këtë herë me zë më të ulët, sikur t’i fliste vetes. – Gjynah… me iu dhimtë qyqes së malit. E shihte vdekjen me sy. Uji ia kishte mbuluar krejt trupin. Vetëm koka kishte mbetur jashtë, sa me i thirrë të zotit. Po ai nuk po kthehej…
Heshti për një çast. – Lumenjtë janë çmendur… Ironia e tij tashmë nuk fshihej më. Fatbardhi mbështeti bërrylin mbi tavolinë. Gishtin tregues e çoi te tëmthi, ndërsa me të madhin mbështeti mjekrën. E dëgjonte pa e ndërprerë. Tashmë e kishte kuptuar se Marku nuk po fliste për qenin. – A shkojmë ta pimë një kafe? – tha Marku. – Pash hatrin e Zotit, hajde të njihemi më mirë.
Ti ke ardhur për herë të parë këtu. Po gruan time lëre… I zoti kishte shpëtuar veten. Qenin e kishte lënë të lidhur. Heshti sërish, më gjatë këtë herë. Vetëm shikonte nga dritarja, ku shiu vazhdonte të binte mbi rrugën e përmbytur. – Situata është nën kontroll, thotë kryeministri, – shtoi më në fund, me një buzëqeshje që s’ishte fare buzëqeshje. Askush nuk foli.
Në dyqan dëgjohej vetëm zhurma monotone e shiut mbi llamarinë. – Hajde ta pimë një kafe, – tha Marku me zë të ulët. – Kam edhe një histori tjetër për të të treguar. Ikim, – tha kolegu shkrelas. – Jo, – tha qetë Fatbardhi. – Do ta pimë atë kafe. Toni i tij nuk linte vend për kundërshtim. Të gjithë u ngritën dhe dolën.
Kafeneja ishte vetëm pak hapa larg. – Qeni… – nisi sërish Marku. – Mark, lëre qenin një çast. Më thuaj, çfarë profesioni ke? – Si? – pyeti ai dhe fytyra iu ndryshua krejt. – Po ç’rëndësi ka kjo… Fatbardh? – Hiqe fjalën “shef”. Unë kam një emër. – Si?! Ti je Fatbardh Miri? Fatbardhi e pa me habi. – Po.
Marku ngeli për një çast pa lëvizur, sikur po e peshonte atë emër, sikur po e kërkonte diku brenda vetes. Pastaj u ngrit ngadalë, me duart që i dridheshin lehtë mbi banak. – Ma jep dorën! Të lutem, ma jep dorën si njeri! E kam lexuar librin tënd. E kam aty, në dyqan. Nuk kishte kaluar shumë kohë që Fatbardhi kishte botuar përmbledhjen e tij me tregime. – Edhe unë jam mësues letërsie.
Ose, më mirë të them, kam qenë. Kam mbaruar kursin pasuniversitar dhe kam dhënë mësim në gjimnaz. Më hoqën nga puna pas një shkrimi që botova. Në vendin tim sollën një çupelinë me një diplomë të dyshimtë, që rastisi të ishte edhe e dashura e kryetarit të partisë. Kështu përfundova duke shitur patate e qepë. Heshti për një çast. – Më fal, Fatbardh. Nuk e dija kush ishe.
Hajde, ta pimë nga një. – Ikim, – tha shkrelasi. – Boll! – ia preu Marku. Tashmë fliste si një njeri tjetër. Pastaj iu drejtua kamarierit: – Na sill nga një teke uiski! – Jo, faleminderit, – tha Fatbardhi. – Pije. Jo për rakinë. Për muhabetin. Më lër edhe një herë të flas. Këtu… edhe qentë të bëjnë me iu dhimbsë të madhit Zot. Fatbardhi nuk u përgjigj.
Vetëm mendoi se, në letrën e kontrollit që do të mbushte të nesërmen, nuk do të shkruante asnjë gjobë. Atë natë, Fatbardhi u kthye në shtëpi. Gruan dhe fëmijët nuk i gjeti. Kishin shkuar në një ditëlindje. U shtri, por gjumi nuk i vinte. Në vesh i jehoi përsëri ajo ulërimë. Au… au… auuuuuu… Qeni vazhdonte të qante. Gjumi nuk e zuri deri në mëngjes.
