Ekskavatorët, nën asistimin e Policisë së Kosovës, kanë rrënuar 11 shtëpi në bregun e Liqenit të Ujmanit në Zubin Potok. Autoritetet deklaruan se objektet ishin ndërtuar pa leje në tokë nën administrimin e “Ibër-Lepencit”, duke nxitur debat për pronësinë dhe kompetencat institucionale.
Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, ka deklaruar për “Bota sot” se parcelat ku u rrënuan objektet janë pronë e ndërmarrjes që nga viti 1973, kur u krye shpronësimi për ndërtimin e Liqenit të Ujmanit. Ai theksoi se aksionet për largimin e ndërtimeve pa leje do të vazhdojnë kudo ku ka uzurpime të pronës publike, pa dallim përkatësie etnike.
Faruk Mujka “Parcelat nuk janë nën administrim por pronë e ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” nga koha kur është kryer shpronësimi për nevojat e ndërtimit të liqenit, në vitin 1973. Infrastruktura e ndërmarrjes është infrastrukturë kritike dhe doedomos duhet të jetë nën kontroll të plotë të ndërmarrjes.
Plus liqeni konsiderohet si burim ujorë nga i cili furnizohet 1/3 e banorëve të Republikës së Kosovës. Kudo që ka uzurpime dhe ndërtime pa leje pa marrë parasysh nacionalitetin do të vazhdojë aksioni i lirimit të pronave publike, në këtë rast të ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” , deklaroi ai për “Bota sot”.
