Një 33-vjeçare ka mbetur rëndë e plagosur pas një sulmi të dyshuar nga ish-partneri i saj në një strehë për persona të pastrehë në Berlin. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes në rrugën Wexstrasse, ku sipas hetimeve paraprake, një 44-vjeçar dyshohet se pas një konflikti e ka sulmuar gruan me thikë dhe më pas i ka hedhur lëndë djegëse duke i vënë flakën.
Pas sulmit, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në arrati. Policia gjermane ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Gruaja është shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë të një personi që ndodhej afër, i cili ka arritur t’ia shuajë flakët me një batanije dhe më pas ka njoftuar shërbimet emergjente.
Viktima është transportuar në spital me lëndime të rënda të shkaktuara nga plagët me thikë dhe djegiet, ndërsa personi që ndërhyri për ta ndihmuar nuk ka pësuar lëndime. Autoritetet kanë nisur hetimet për sulm të rëndë, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
