Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Skenderaj, Sabit Ferizi, ka njoftuar se në disa fshatra të kësaj komune janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore si pasojë e motit të pafavorshëm dhe breshërit që goditi komunën një ditë më parë.
Sipas njoftimit të datës , gjatë vizitave në terren të zhvilluara në fshatrat Vajnik, Burojë, Likoc dhe Izbicë, janë evidentuar dëme në kulturat e drithërave, pemëve dhe perimeve. Sipas vlerësimeve paraprake, vetëm në fshatin Vajnik janë dëmtuar rreth 60 hektarë të mbjella me grurë. Fermerët e zonave të prekura kanë filluar të paraqesin kërkesat për vlerësimin e dëmeve.
Ndërkaq, Komisioni Komunal për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore pritet të dalë së shpejti në terren për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga breshëri. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, raporti do t’i procedohet Kuvendit Komunal për shqyrtim dhe miratim.
Më pas, ai do t’i përcillet Komisionit Qendror Qeveritar, në përputhje me procedurat ligjore, për shqyrtimin e mundësive të kompensimit të dëmeve për fermerët e prekur.
KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Skenderaj, Sabit Ferizi, i cili ka konfirmuar se zyrtarët e kësaj drejtorie kanë dalë në terren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe breshëri.
“Ne kemi dalë dje në terren dhe e kemi parë nga afër dëmin që është shkaktuar nga shiu i rrëmbyeshëm dhe breshëri, ndërsa nga sot fermerët kanë ardhur për të parashtruar kërkesat për të dalë në terren për vlerësimin e dëmeve”, – ka thënë Ferizi. Ai ka bërë të ditur se fermerët kanë filluar të paraqesin kërkesat për vlerësimin e dëmeve dhe se deri më tani janë pranuar rreth 10 kërkesa.
“Ne e kemi një komision komunal për vlerësim. Gjatë paradites së sotme i kemi rreth 10 kërkesa të fermerëve, ndërsa priten edhe kërkesa të tjera nga zonat që janë të prekura”, – ka deklaruar Ferizi.
