Uniformat që i zhveshën në vitin 2022, nuk do të mund t’i veshin më. Policët nga komuniteti serb, të cilët dhanë dorëheqje dhe u larguan vullnetarisht nga stacionet policore në veri të vendit në nëntor të atij viti, nuk do të mund të rikthehen në vendet e tyre të punës.
Kështu konfirmoi për KALLXO.com, zëvëndësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani i cili tha se dorëheqjet e tyre ishin pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. “Në momentin që ata e marrin vendimin në dorë, ata nuk janë më policë të Kosovës”- deklaroi Elshani.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës për të marrë një qëndrim dhe jemi në pritje të përgjigjes. Derë e hapur apo e mbyllur për prokurorët dhe gjyqtarët që synojnë të kthehen? Krahas policëve, edhe dhjetë prokurorë serbë, dhjetëra gjyqtarë dhe 22 punonjës të administratës kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në veri.
Gati katër vjet pasi kishin ofruar dorëheqjet e tyre e që të njëjtat nuk ishin trajtuar, disa gjyqtarë dhe prokurorë serbë kanë dorëzuar kërkesë për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës. Më , Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka refuzuar kërkesën e ish-prokurorëve serbë dhe stafit të tyre mbështetës për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës.
Pas shqyrtimit të kërkesës, shumica e anëtarëve të Këshillit Prokurorial vendosën ta refuzojnë atë. Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb , të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Dekretet, Haxhiu i ka nënshkruar një ditë pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Ndërsa sa i përket gjyqtarëve, KALLXO.com mëson se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pranuar disa kërkesa por ende nuk kanë numër të saktë. Ashtu sikurse kërkesat e dorëheqjes, edhe ato të rikthimit ende nuk janë trajtuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Debati në Mitrovicë të Veriut Rikthimi në vendet e tyre të punës i prokurorëve dhe gjyqtarëve që kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në veri të Kosovës në vitin 2022 ishte temë diskutimi në konferencën e organizuar nga Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC), më , në Mitrovicë të Veriut.
Shefi i Seksionit të Drejtësisë në UNMIK, Andrea Lako, deklaroi se “ka thashetheme që prokurorët dhe gjyqtarët do të kthehen”, me arsyetimin se “komuniteti ka nevojë për ta”. Optimist se prokurorët dhe gjyqtarët do të kthehen në zyrat e tyre më 1 shtator të këtij viti ishte drejtori i ACDC-së, Dushan Radakoviq.
Avokati, njëherësh ish-kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla, theksoi se ky kthim është i nevojshëm dhe duhet të ndodhë sa më shpejt pasi, sipas tij, do të ndikonte në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe në integrimin e serbëve.
Iniciativën e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë për të dhënë dorëheqje në vitin 2022 Syla e cilësoi si vendim politik të Listës Serbe dhe të qëndrimit zyrtar të Beogradit. Për dallim nga parafolësit, avokati Lubomir Pantoviq potencoi se nuk beson që gjyqtarët dhe prokurorët do të kthehen, ndonëse tha se do ta dëshironte një gjë të tillë.
Se Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Sistemi Prokurorial nuk ua kanë aprovuar dorëheqjet, duke ua lënë derën hapur për rikthim, e tha Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Shala shtoi se çështja e rikthimit “nuk guxon të jetë pjesë e diskutimit në Bruksel”, sepse, sipas tij, vetëm Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë kompetencë për ta trajtuar atë.
Dorëheqjet e vitit 2022 Më , në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal dhe nga gjyqësori.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një tjetër takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.
Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillonte të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit.
Gjyqtarë, zyrtarë policorë e personel administrativ të cilët po mbanin pozita në institucionet e Kosovës në komunat në veri me shumicë serbe, në atë kohë kanë ofruar dorëheqjet e tyre.
E gjitha erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, pas refuzimit dhe rezistencës për moslëshimin e fletëqortimeve për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.
