Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në fshatin Sverkë, ku banorët po protestojnë shkaku i ndotjes së ambientit nga tymi dhe flaka që po del nga deponia e mbeturinave.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka thënë për KALLXO.com se Prokurori i Shtetit ka kërkuar që të shtohen masat dhe angazhimi i ekipeve të zjarrfikësve në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin. Nikçi bëri të ditur se mbrëmë () një person është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Si pasojë e situatës së krijuar, në vendin e ngjarjes ndodhen Policia e Kosovës, ekipet emergjente, si dhe zjarrfikësit. Deri në këto momente, një person është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa disa persona të tjerë janë trajtuar në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore.
Prokurori i Shtetit ka kërkuar që të shtohen masat dhe angazhimi i ekipeve të zjarrfikësve në vendin e ngjarjes për ta lokalizuar zjarrin”- tha Nikçi.
Ai shtoi se javën e kaluar, kur kjo deponi e mbeturinave u përfshi nga zjarri, përveç Policisë së Kosovës, Prokurori i Shtetit ka autorizuar edhe ekspertin e zjarreve për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të dorëzuar në Prokurori raportin lidhur me gjetjet.
“Eventualisht, nëse konstatohet se zjarri është shkaktuar nga faktori njerëzor, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e personit apo personave përgjegjës” – njoftoi ai. Banorët e fshatit Sverkë të Pejës dhe fshatrave kanë protestuar gjatë gjithë ditës. Në adresë të KALLXO.com qytetarët kanë dërguar pamje nga vend i ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes janë parë dy autoambulanca, të cilat u kanë dalë në ndihmë protestuesve, të cilët kanë raportuar për probleme me frymëmarrje si pasojë e tymit dhe ajrit të ndotur.
