Kumona e Vjetër

0%

Kel Bardhi e afroi karrocën e tij pranë grumbullit të tullave, ku kishte rënë kumona e vjetër e kishës. Ai kishte marrë urdhër ta merrte dhe ta shkallmonte kumonën e vjetër. Kelit i dhimbte zemra teksa mendonte se ajo kumonë e vjetër do të prishej dhe do të shtypej e bëhej metal.

Ai gjithnjë, sa herë kishte rënë ajo kumonë, kishte bërë kryq dhe kishte mërmëritur me vete: “Në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë.” Ajo kumonë kishte rënë në njërën anë kur kishte vdekur i ati, dhe ai e kishte dëgjuar tringëllimën e saj sërish të binte në njërën anë në ditën e pikëllimit më të madh të tij, pra kur i kishte vdekur e ëma.

Por ajo kumonë kishte tringëlluar në një mënyrë fare të veçantë në ditët e festave, si në ditën e Krishtlindjes e të Pashkëve. – Merre dhe prishe, Kel, ajo i përket së shkuarës, – iu drejtua Ismet Hoxha, – tashmë ne do të ndërtojmë një histori të re. Këto kanë qenë e keqja jonë e përhershme, këto u kanë shërbyer të huajve. Kleri dhe kishat janë opium për popullin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ato kanë mbjellë injorancë dhe padije ndër ne… Keli nuk kishte folur, por në heshtje mendjen e kishte hedhur tek Pal Engjëlli, Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Budi, Bogdani e gjer tek Prend Doçi, Mjeda, Fishta, Marlaska, Prenushi etj.; ata kishin vënë themelet e kulturës kombëtare, e tash thuhej se kanë mbjellë terr dhe padije. – Zot, fale se nuk di çfarë thotë, – mendoi Kel Bardhi.

Ajo kumonë e vjetër kishte të gdhendura në të disa figura mjaft interesante, e mes tyre edhe një shqiponjë njëkrenëshe, por dhe një datë që datonte në vitin tetëqind e një; duhej të prishej, të shtypej në emër të kulturës. Po të cilës kulturë, a nuk ishte ajo vetë një monument kulture!? U afrua dhe bëri ta merrte ndër duar. Iu duk e rëndë, shumë e rëndë.

Ca pika shiu të mëdha vrullshëm filluan të sulen mbi tokë, sikur donin ta mbysnin në ujë. “Mëshirë, o i Shpalë e i Shpjetër!” – mërmëriti me vete Kel Bardhi. – Kel, a the ndonjë gjë? – pyeti Ismeti, që rrinte në këmbë dhe vështronte e ndiqte me kujdes punën për prishjen dhe shkatërrimin e kishës dhe kthimin e saj në qendër kulture. – Jo, jo, shoku Ismet, – mërmëriti Keli me gjysmë zëri. – Nuk e ngre dot vetë ta vësh në karrocë.

Hajde se të ndihmoj unë, se u bëre ujë Të dy e ngritën kumonën dhe e vunë në karrocë. Disa zigzage drite shpuan qiellin e bërë pus prej reve të zeza. Pastaj një bubullimë e pazakontë. -Eh, more Zot! – mërmëriti Keli, që tanimë kishte marrë në dorë frenat e kuajve që tërhiqnin karrocën që mbante kumonën më të vjetër të kishës, që fatkeqësisht nuk do të ishte më kishë por vatër kulture.

Si t’ia bënte? Partia e shteti e kishin urdhëruar që ai ta shtypte dhe ta prishte kumonën e vjetër. Po a mundej ai të vinte dorë mbi kumonën e kishës? A mundej ai të vinte dorë mbi kumonën, lajmëtaren e riteve të të madhit Zot? Trupi i u drodh. Kurrë, mendoi me vete.

Po të mos e prishte atë kumonë të vjetër, e po të merrej vesh kjo, do t’i kushtonte shtrenjt, do t’i këputej koka siç i qe bërë Ipeshkvit. Kuajve u jepte ngadalë, si të kishte mbi karrocë vezë, që nga një tronditje e lehtë do të thyheshin. Nuk donte ta trondiste kot së koti kumonën e kishës, e aq më pak ta prishte.

E ktheu kokën mbrapa dhe pa pikat e shiut që përplaseshin mbi të, e i u duk se po bënte një mëkat të madh. Deshi të hiqte xhaketën e vet e ta mbulonte kumonën, por në moment e mblodhi veten. I ra rrotull e rrotull dy herë gjithë qytetit, pa ditur se çfarë të bënte. Muzgu kishte rënë. Errësira ishte duke pllakosur në të gjitha anët, ndërsa shiu vazhdonte të binte rrëmbyeshëm.

U drejtua drejt shtëpisë së tij. E ndaloi karrocën para portës së shtëpisë; askush nuk dëgjohej, sikur s’kishte njeri të gjallë. E hapi portën ngadalë, pastaj i drejtoi kuajt drejt fundit të bahçes dhe i ndaloi në rrëzë të murit. Ashtu nëpër shi u fut në një kotec të bërë me dërrasa, ku mbante veglat e punës. Mori kazmën dhe një lopatë, dhe në fund të oborrit hapi një gropë të thellë.

Njerëzit varrosen, mendoi, e shpirti i tyre ngjitet në qiell. Edhe shenjtorët varrosen. Bile edhe Krishti është varrosur, e Zoti e di se çfarë bën pastaj. Gërmonte e gërmonte; edhe pse shiu e pengonte, ai nuk ndalej. Kurrë në jetën e tij nuk kishte hapur një varr, por sikur gjithë jetën të kishte hapur veç varre, nuk do ta kishte pasur kaq të vështirë.

Edhe shiu nuk e linte, sikur lotonte gjithë qielli për varrimin e saj. Ajo nuk do të tringëllojë as në ditë festash, as në ditë mortesh. Veshët i buçitën, e i u duk se kumona diçka foli, por shiu nuk e linte të kuptonte fjalët e saj. Mbajti vesh, mos po e përgjonte kush, apo e kishte parë njeri. Por nuk dëgjohej asgjë veç shiut që binte pa pushim.

Ishte zhytur deri në brez në gropën e hapur, e megjithatë vazhdonte të gërmonte pa u ndalur; donte ta groposte sa më thellë. Pasi u sigurua se kishte bërë një varr të mjaftueshëm, u turr prapë drejt kotecit të veglave. I vdekuri vishet, mendoi me vete. Hoqi xhaketën e tij dhe e mbështolli kumonën me të.

Mblodhi pastaj gjithë leckat që ishin aty dhe rendi drejt fundit të oborrit; e mbështolli mirë e mirë edhe me to, dhe mori litarët e kuajve e i lidhi fort, i shtrëngoi mirë e mirë përsëri. Pasi kishte mbaruar punë, u ndal disa çaste. Po litarët do të kalben, o ditë e zezë, mendoi me vete. Kështu që u fut prapë në kotec. Ndezi një qiri dhe kontrolloi për ndonjë copë teli.

Në fund të kotecit, mbi disa dërrasa druri, pa disa lëkurë që i kishte blerë veç disa ditë më parë për të rregulluar karrocën. Ishin lëkurë të regjuara e mjaft cilësore. Po, po, tha me vete, dhe i ngarkoi në shpinë. Të qofsh falë ty, o vullnesë e të madhit Zot. O për kishën dhe kumonën e saj, o për kë tjetër, mendoi.

Pastaj ai po varroste një nga objektet e rëndësishme të kishës, pra kumonën e saj, me ato lëkura që i kishte blerë sa nuk thuhet. E rimbështolli me to kumonën e vjetër, pastaj e lidhi mirë e mirë me telat që kishte marrë në kasolle. Kur e kishte kryer këtë punë dhe u gjend në buzë të gropës-varr, ajo ishte mbushur me ujë.

Mori lopatën dhe provoi edhe një herë sa e thellë ishte, dhe pa se lopata humbi nën ujë bashkë me bishtin e saj; edhe pse e zgjati dorën nën ujë, nuk arriti ta prekte fundin e gropës me lopatë, kështu që u kënaq.

Lëmshin brenda të cilit ishte kumona e vjetër, mbështjellë me leckat dhe lëkurën, e rrukullisi ngadalë, dhe pasi e afroi në buzë të gropës, u ul pranë saj dhe filloi të thoshte urata e t’i lutej Zotit ta falte për mëkatin e tij; pastaj e hodhi në pellgun e ujit, prej nga doli një shkulm uji i turbullt që mori drejt kanalit. Në Veri, vetëtimat ndiqnin njëra-tjetrën.

Mori lopatën dhe e mbuloi me dhé mirë e mirë, dhe pasi u sigurua se kishte kryer gjithçka si duhet, i zgjidhi kuajt dhe i rehatoi në kasollen e tyre. Më falni, u tha atyre kur po u jepte tagji, po s’kishim si të bënim ndryshe, ishte e vetmja mënyrë. Pasi mbaroi gjithçka, i tronditur deri në palcë e i lodhur sa nuk thuhet, u drejtua për në shtëpi.

Trokiti në derë dhe po priste të hapej, kur i u duk se dëgjoi kumonën duke thirrur prej nëndheu. Zëri i vinte i largët, i thellë e i mbytur, si të ishte një njeri i mbytur në ujë që herë del në sipërfaqe e kërkon ndihmë, e herë zhytet nën ujë ku nxjerr flluska. Po i merreshin mendtë e nuk po orientohej më. U mbështet te dera e me zor po merrte frymë.

Kur u hap dera, ai u plandos përtokë dhe nuk mundi të thoshte asgjë. Njerëzit i dukeshin si hije që turreshin nëpër natë. Dëgjonte turbull zërat e tyre që i vinin si buçimë në vesh, pastaj ata i dukeshin si tingujt e zgjatur të kumonës, që zgjateshin dhe shuheshin ngadalë. Nuk mori vesh asgjë, veç të nesërmen, kur u zgjua, kishte dalë dielli e ndriste pastër në të katër anët.

Kishte fjetur gjatë, dhe ora kishte kaluar nëntë të mëngjesit kur i doli gjumi e u ngrit nga krevati. Doli në oborr, dhe menjëherë sytë i shkuan nga cepi i fundit i oborrit, ku kishte hapur një varr që tash s’do ta linte kurrë të qetë. Mori kazmën dhe lopatën, hapi anash dy gropa dhe mbolli në to dy trëndafila. Vitet shkuan, ai plakej, po kurrë nuk e hapi gojën.

Por për trëndafilat në fund të oborrit interesohej pa ndalë. Kohët ndryshuan. Pas 27 vjetësh, një natë, trokiti dera, dhe u shfaq një djalë i ri. – Axha Kel, më dërgoi babai e më tha se nesër në orën nëntë të mëngjesit, tek kisha, tek Arra e Madhe, do të vijë një prift e do të ngrejë meshë, e nëse je i mundur, takohemi atje, më tha babai.

Kel Bardhi u ngrit menjëherë në këmbë. – Po ty të pastë axha, hajde, hajde brenda, se don axha me të gostitë. – Dhe pasi gjeti disa ëmbëlsira, ia dha djaloshit. – Nesër, të pastë axha, eja edhe ti, se është ditë e madhe. Doli në oborr, nuk i besohej. Vështrimin e hodhi nga perëndimi, ku dielli ishte duke u fshehur pas malit, dhe qielli ishte skuqur sikur donte të merrte flakë.

Të nesërmen, në kishë, një prift i plakur, të cilit i dridheshin duart e mezi mbahej, i veshur si civil, ngriti meshë. – Kemi vështirësi të mëdha, – tha ai diku në mes të meshës. – Gjithçka na mungon: edhe teshat e priftërinjve që janë ende gjallë, edhe pajisjet e meshës, edhe kumona e së lumes kishë.

Keli bëri kryq, e zemra desh i doli jashtë, filloi t’i rrihte fort, fort. -Jo! – thirri Keli në mes të kishës së rrënuar, pa altar e pa stola, aq sa gjithë besimtarët u kthyen drejt tij. Prifti plak e hodhi vështrimin andej nga kishte ardhur zëri. Pa Kelin, që u shkëput prej njerëzve dhe u drejtua nga altari. – Më falni, o vëllezër e motra!

Më fal, o Atë, që të ndërhyra në meshë, po nuk desha të dëgjoja gjithë këto mjerime e fatkeqësi. Zoti ju pastë të gjallë e unë dua të dëshmoj se kumona e kishës është gjallë e shëndoshë e mirë. Një mërmërimë e një gumëzhimë e pazakontë, çfarë nuk ndodhte shpesh gjatë meshës, e pushtoi kishën.

Pastaj qetësia. – Po, Atë, – tha Keli, që tashmë ishte ulur në gjunjë, – kumona e kishës është e varrosur në fund të oborrit tim, tash 27 vjet, dhe unë s’kam pasur kujt t’i rrëfehesha e t’ia tregoja. Nuk kam pasur brengë më të madhe, dhe gjithnjë jam frikësuar se atë amanet s’kisha besë t’ia thosha kujt.

Prifti plak mori ujin e bekuar dhe me një furçë hodhi disa pika mbi Kelin, duke i thënë: – Qofsh bekuar, o bir i Perëndisë. Pas asaj meshe, të gjithë u drejtuan drejt shtëpisë së Kelit. – Shkulini ato, – tha Keli, duke bërë me dorë nga trëndafilat, të cilëve, edhe pse u kishin rënë gjethet, dukeshin tepër të shëndetshëm, – dhe gërmoni, bijtë e mi, aty është fshehur kumona.

Prifti plak, ulur në një karrige, e kishte marrë dorën e Kelit dhe e mbante ndër dy duart e veta, por nuk po i pritej. Dy të rinjtë humbën në gropë, por kumona nuk po dilte. – Edhe më, – thoshte Keli, – se aty është. Prej thellësisë po dilte një lëmsh lëkurash. Keli mori pincat.

Pastaj doli një grumbull leckash, një xhaketë e vjetër, me të cilën ishte mbështjellë kumona, ashtu siç ishte ditën kur ishte groposur. Mbi kumbanaren e kishës ishte tue u ngritur kumona, kur e lajmëruan Kelin se Ismet Hoxha kishte ndërruar jetë.

Pa dashje ai tërhoqi litarin, dhe kumona ra në njërën anë, por jo sipas ritit tri herë, veç një herë; megjithatë tingulli i saj zgjati gjatë, gjatë, jo si zakonisht…

Burimi: Bota Sot