Një ngjarje e rëndë ka tronditur një zonë turistike në Itali, pasi një vajzë 4-vjeçare nga Austria ka humbur jetën pasi u mbyt në pishinën e një hoteli në Milano Marittima, në bregdetin e Ravenës. Pas tragjedisë, Prokuroria e Ravenës ka nisur hetimet dhe babai i fëmijës është vendosur nën hetim për dyshime mbi neglizhencë në mbikëqyrjen e vajzës.
Sipas hetimeve fillestare, babai dyshohet se e kishte lënë të bijën për pak kohë pranë zonës mes këndit të lojërave dhe pishinës, ndërsa ishte larguar për në dhomën e hotelit. Kur u kthye, vajza ishte gjetur në ujë dhe pavarësisht ndërhyrjes për shpëtim, nuk ka mundur të mbijetojë. Kamerat e sigurisë së hotelit kanë ndihmuar hetuesit në rindërtimin e ngjarjes.
Nga pamjet dyshohet se vogëlushja ka hyrë e vetme në zonën e pishinës dhe ka qëndruar disa minuta në ujë pa u vënë re. Sipas mediave italiane, ndihmën e parë e ka dhënë një mjek që ndodhej në hotel, ndërsa më pas kanë ndërhyrë edhe persona të tjerë, por përpjekjet për ta shpëtuar kanë rezultuar të pasuksesshme.
Hetuesit po verifikojnë edhe masat e sigurisë në pishinë, përfshirë mungesën e një roje shpëtimi dhe kushtet e hyrjes në zonën e ujit në momentin e ngjarjes. Pishina e hotelit është sekuestruar me urdhër të prokurorisë, ndërsa një autopsi pritet të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes. Hetimi po vijon për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
