Andy Burnham, i njohur si “Mbreti i Veriut’, bëhet të hënën kryeministri i shtatë i Britanisë brenda një dekade, duke u zotuar “ta riorganizojë” kombin për t’u përqendruar më mirë në çështjet që u interesojnë njerëzve, si puna e krizës së kostos së jetesës dhe shërbimet me performancë të dobët, raporton Reuters .
Pasi Keir Starmer mban fjalimin e lamtumirës para zyrës Numër 10 në “Downing Street” dhe ia paraqet zyrtarisht dorëheqjen Mbretit Charles, Burnham, ish-kryetar i Mançesterit të Madh, do të takohet gjithashtu me monarkun para se të shpallet kryeministër. Pastaj fillon puna e zorshme.
Burnham, 56 vjeç, përballet me listë të gjatë problemesh, nga shërbimet e dobëta të Britanisë deri te rritja e dobët ekonomike, dhe së pari duhet të paraqesë ekipin e ministrave – tashmë subjekt i shumë debateve në Partinë Laburiste në pushtet.
Burnham do ta përcaktojë shtegun e ri të qeverisjes Duke e përshkruar zgjedhjen e tij si lider i Partisë Laburiste si “momentin më të rëndësishëm të ndryshimit në politikën tonë për 40 vjet”, Burnham është zotuar ta ndryshojë rrënjësisht sistemin politik të Britanisë që të rriten shpejt standardet e jetesës.
“Qeveria që unë drejtoj do ta përcaktojë me besim këtë rrugë duke nisur nga java e ardhshme”, ka deklaruar të premten kur premtoi t’ia kthejë Britanisë shpresën dhe ndryshimin që vendi “po e kërkonte me padurim”. “Do të na çojë në një vend ku jeta është më e përballueshme dhe të gjithë njerëzit dhe vendet do të jenë të ngritur nga gjendja ku ndodhen tani”.
Ky mesazh iu drejtua drejtpërdrejt ligjvënësve të Partisë Laburiste, të cilët, pasi ai u rizgjodh u deputet muajin e kaluar, e shohin si një nga politikanët e paktë që mund të zvogëlojnë kërcënimin nga partia populiste “Reformo Mbretërinë e Bashkuar” të aktivistit veteran të Brexit-it, Nigel Farage – diçka që ata dyshonin se Starmer jopopullor mund ta bënte.
Pengesa e parë e Burnhami do të jetë emërimi i kabinetit, sidomos zgjedhja e ministrit të Financave. Fërkimi në këtë partneritet të rëndësishëm në zemër të qeverisë ka çuar në rënien e administratave të mëparshme.
Një kandidat i hershëm për këtë pozicion, ministri i Sigurisë Energjetike, Ed Miliband, ka qenë në qendër të disa takimeve të hapura dhe ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, tani duket se është favorite për këtë detyrë. Burnham i bëri thirrje partisë të premten që t’i injorojë “spekulimet” dhe tha se ende nuk kish vendosur për ekipin e tij.
Vendimet e tij të hershme politike do të priten njashtu me llupë, me ekipin e tij të etur për të ecur shpejt me agjendën. Të dielën, një veprim i hershëm ishte heqja dorë nga planet që të gjithë punonjësit të mbajnë një dokument digjital identiteti, një skemë e hartuar për ta trajtuar migracionin e paligjshëm, por që u konsiderua “fiasko” nga një komitet ndërpartiak ligjvënësish.
Më shumë vëmendje do t’u kushtohet vendimeve të mëvonshme të Burnhamit, veçanërisht mbi taksat dhe shpenzimet, naftën dhe gazin, dhe kompanitë e shërbimeve me performancë të dobët, të cilat dëshiron t’i shohë nën një kontroll më të fortë publik.
Aleatja e tij, zëvendëskryetarja e Partisë Laburiste, Lucy Powell, ka sugjeruar të dielën se “Thames Ëater”, shërbim i goditur nga borxhet, mund të vihet nën “masa të veçanta”, që do të thotë se do të funksionojë nën kontrollin e qeverisë.
“Ai dëshiron të rifokusojë dhe të ripërcaktojë përparësitë e burimeve të qeverisë, vëmendjen e qeverisë në përparësitë e tij për ta trajtuar koston e jetesës, duke riorganizuar vërtet mënyrën se si funksionon vendi dhe ekonomia”, ka thënë ajo për televizionin “Sky News”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
