Shitjet jashtë u rritën me 13.6%, por importet mbetën mbi dyfishin e

0%

Eksportet shqiptare u rritën me ritme të shpejta gjatë muajit qershor, duke shënuar një rritje prej 13.6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria eksportoi mallra me vlerë 35.4 miliardë lekë. Rritja u mbështet kryesisht nga eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike.

Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe materialet e ndërtimit, metalet, makineritë dhe pjesët e këmbimit. Në të kundërt, eksportet e tekstileve dhe këpucëve shënuan rënie, duke qenë sektori që ndikoi negativisht, si pasojë e rritjes së çmimit të produkteve shqiptare nga luhatjet e kursit të euros. Por krahas eksporteve, gjatë qershorit vijuan të rriten edhe importet.

Shqipëria importoi mallra me vlerë 83.5 miliardë lekë, ose 9.1 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja lidhet kryesisht me importin e mineraleve, lëndëve djegëse, produkteve kimike, plastikës, si dhe ushqimeve dhe pijeve. Megjithëse eksportet u rritën më shpejt se importet, vendi vazhdon të blejë nga jashtë shumë më tepër mallra sesa shet.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për pasojë, deficiti tregtar arriti në rreth 48 miliardë lekë, duke treguar se diferenca mes importeve dhe eksporteve mbetet e konsiderueshme. Italia vijon të mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ndërsa eksportet drejt Kosovës shënuan rritjen më të lartë.

Mbi gjysma e tregtisë së jashtme të vendit vazhdon të zhvillohet me vendet e Bashkimit Europian, të cilat mbeten tregu më i rëndësishëm për produktet shqiptare.

Burimi: Bota Sot