Kosova kritikon BE-në për reagimin ndaj Paunoviçit, kërkon plotësimin

0%

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, përmes një dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka kritikuar reagimin fillestar të BE-së ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila gjatë kësaj jave deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Në letrën dërguar Kallasit më 16 korrik, Konjufca ka shprehur “dënimin e fuqishëm” të Qeverisë së Kosovës ndaj deklaratave të ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale. “Jemi të shqetësuar që reagimi fillestar i Bashkimit Evropian ishte i kufizuar dhe erdhi më shumë se 48 orë pas deklaratës, vetëm pasi çështja u bë temë kryesore në rajon dhe më gjerë.

Një reagim më i qartë dhe më i fuqishëm publik është i nevojshëm për të mbështetur përkushtimin e BE-së ndaj parandalimit të krimeve të mizorisë, refuzimit të gjuhës së urrejtjes dhe luftimit të revizionizmit historik”, ka shkruar Konjufca.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai ka kërkuar që BE-ja të nxjerrë një dënim të qartë dhe publik ndaj deklaratës së ministres Paunoviç dhe retorikës që ajo përfaqëson; t’u rikujtojë autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe ta trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut politik BE–Serbi dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë.

Konjufca ka vlerësuar se deklarata të tilla përbëjnë “glorifikim të qëllimshëm të krimeve të luftës, nxitje të urrejtjes dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”. Ai ka theksuar se kjo retorikë është e papajtueshme me vlerat evropiane dhe me obligimet që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sa i përket distancimit të mëvonshëm të Beogradit nga deklaratat e Paunoviçit, Konjufca ka thënë se ato “nuk përbëjnë pendesë të sinqertë”, duke i cilësuar si përpjekje për të minimizuar situatën.

Sipas tij, deklaratat e një zyrtareje të lartë të Qeverisë së Serbisë nuk mund të trajtohen si “gabim në deklarim”, pasi intervista, sipas tij, përmbante edhe elemente të tjera “revizioniste dhe armiqësore”. Konjufca ka përsëritur se Kosova mbetet partnere e besueshme e BE-së dhe se presin që të veprojnë në përputhje me parimet dhe vlerat që synon t’i mbrojë.

Kosova e ka shpallur Paunoviçin person non grata, duke e cilësuar retorikën e saj ndaj shqiptarëve si të papranueshme. Deklarata e saj ka shkaktuar reagime të shumta nga opozita në Serbi, zyrtarë evropianë dhe institucionet e Kosovës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com