Përçarjet brenda udhëheqjes iraniane janë thelluar pas vdekjes së Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, ndërsa fraksionet më radikale kanë akuzuar zyrtarët kryesorë të vendit se po largohen nga idealet revolucionare dhe po përgatisin një “grusht shteti të butë”.
Gjatë ceremonisë mortore në Teheran, presidenti Masoud Pezeshkian u përball me thirrje kundër tij, ndërsa ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, i cili kishte negociuar armëpushimin me administratën e presidentit amerikan Donald Trump, u detyrua të largohej pasi u sulmua me gurë dhe u quajt “tradhtar”.
Sipas CNN-it, fraksionet e linjës së ashpër besojnë se udhëheqësit iranianë janë dorëzuar përballë Uashingtonit, në vend që të hakmerreshin për vrasjen e Khameneit. Ata kundërshtojnë marrëveshjen e armëpushimit dhe pretendojnë se ajo është arritur në kundërshtim me urdhrat e pasuesit të tij, Mojtaba Khamenei.
Udhëheqësi i ri suprem ka mbetur pothuajse tërësisht jashtë syrit të publikut dhe nuk i është drejtuar drejtpërdrejt popullit. Kjo mungesë ka shtuar dyshimet për gjendjen e tij dhe për autoritetin real që ushtron mbi institucionet e vendit.
Në mungesë të tij, presidenti Pezeshkian, kryeparlamentari Mohammad Bagher Ghalibaf dhe diplomati Abbas Araghchi janë shndërruar në figurat kryesore të udhëheqjes së Iranit pas luftës. Eksperti Arash Azizi deklaroi se mungesa e vazhdueshme e Mojtaba Khameneit ka bërë që ultra-radikalët t’i akuzojnë Ghalibafin dhe Pezeshkianin se po organizojnë një grusht shteti kundër tij.
Deputeti radikal Mahmoud Nabavian ka ngritur publikisht alarmin për një grusht shteti të mundshëm, duke deklaruar se mbështetësit e vijës së ashpër do të vazhdojnë të kërkojnë hakmarrje për vrasjen e Khameneit.
Tensionet janë shtuar edhe më tej pas sulmeve të Gardës Revolucionare ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, të cilat shkaktuan kundërpërgjigje nga Shtetet e Bashkuara dhe e çuan armëpushimin e brishtë pranë kolapsit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
