Gjermania është e gatshme, për herë të parë, të shqyrtojë një bashkëpunim me Francën në fushën e parandalimit bërthamor, ka deklaruar kancelari gjerman Friedrich Merz, duke e cilësuar këtë si një përgjigje ndaj ndryshimit të situatës së sigurisë në Evropë.
“Për herë të parë, kam pranuar ofertën e bërë nga Presidenti francez për të menduar së bashku mbi parandalimin bërthamor”, u shpreh Merz. Kancelari gjerman kujtoi se disa dekada më parë, ish-presidenti francez Charles de Gaulle kishte ofruar një “ombrellë bërthamore” franceze për Republikën Federale të Gjermanisë, por Berlini në atë kohë nuk e kishte pranuar këtë mundësi.
“Gjermania nuk e pranoi atë ofertë. Në atë kohë, nuk kishim nevojë për të, sepse jetonim në një botë tjetër”, tha kancelari gjerman. Sipas Merz, ndryshimet në situatën aktuale të sigurisë kërkojnë qasje të reja.
Ai bëri të ditur se Gjermania do të marrë pjesë për herë të parë në një stërvitje bërthamore franceze me forca konvencionale, me qëllim të vlerësimit të mënyrave për forcimin e parandalimit strategjik në Evropë. “Bota në të cilën jetojmë sot kërkon përgjigje të reja.
Për këtë arsye, për herë të parë do të marrim pjesë në një stërvitje franceze bërthamore me forca konvencionale, për të përcaktuar se ku mund të arrijmë objektivin tonë të përbashkët për një parandalim më të fortë në Evropë”, deklaroi Merz. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
