Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Arian Gashi, mori pjesë në përmbylljen e aktiviteteve të “Javës së Agjencisë”, të organizuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) nën moton “20 Vjet Transparencë dhe Integritet – Duke Rritur Besimin, Duke Parandaluar Korrupsionin”.
Me këtë rast, Kryesuesi Gashi ka shprehur urimet më të sinqerta për këtë përvjetor jubilar, duke vlerësuar se dy dekada punë në promovimin e transparencës, integritetit dhe parandalimit të korrupsionit përbëjnë një kontribut të çmuar për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e besimit të qytetarëve. Gjatë fjalës së tij, z.
Gashi theksoi se lufta kundër korrupsionit kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe veprim të koordinuar ndërmjet institucioneve të drejtësisë, organeve të pavarura, ekzekutivit, shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Në këtë kuadër, ai veçoi rëndësinë e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm ndërmjet KPK-së dhe APK-së, i cili është ndërtuar mbi besimin institucional, shkëmbimin e informacionit dhe angazhimin e përbashkët për sundimin e ligjit.
Më tej, Kryesuesi Gashi bëri të ditur se Këshilli Prokurorial mbetet i përkushtuar për të garantuar një sistem prokurorial profesional, të pavarur, transparent dhe llogaridhënës.
Ai vuri në pah funksionimin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik në kuadër të KPK-së, i cili luan një rol kyç në monitorimin sistematik, identifikimin e sfidave dhe rekomandimin e masave konkrete për rritjen e efikasitetit në prokurori.
Gjithashtu, u nënvizua se në zbatim të Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve, në bashkëpunim me APK-në, në secilën prokurori të Republikës së Kosovës janë caktuar zyrtarët për sinjalizim. Ky mekanizëm synon të inkurajojë raportimin e parregullsive, të garantojë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe të forcojë kulturën e integritetit brenda sistemit. Në përmbyllje, Kryesuesi i KPK-së z.
Arian Gashi, theksoi se parandalimi i korrupsionit, përmes ndërtimit të mekanizmave efektivë të integritetit, etikës profesionale dhe menaxhimit të konfliktit të interesit, është po aq i rëndësishëm sa edhe ndjekja penale e tij.
Ai rikonfirmoi se KPK është duke punuar në vazhdimësi në fuqizimin e kornizës nënligjore dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit do të thellohet edhe më tej në të ardhmen, në shërbim të avancimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
