Një pjesë e deponisë së mbeturinave në fshatin Sferkë të komunës së Pejës, dje, më , ishte kapluar nga zjarri. Lidhur me këtë, Ndërmarrja Publike “Ambienti” bën të ditur se kjo dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e veprimeve të personave të pandërgjegjshëm. Nga kjo kompani kanë bërë të ditur se kjo po e rrezikon sigurinë e punëtorëve si dhe po shkakton ndotje të madhe të ambientit.
Besnik Kelmendi, menaxher i deponisë, tha se kjo deponi është lënë keq nga institucionet. Sipas tij, ende nuk dihet se nën menaxhimin e kujt është deponia. “Është lënë shumë keq kjo deponi, kjo ka qenë për 25 vjet, është regjionale. Jo Peja, jo ‘Ambienti’ po e menaxhon, është me letra në KMDK-në, nuk e di as vetë ku është, as qysh është, as kush është përgjegjës për këtë.
Na kanë lanë me një privat për me i shty mbeturinat, me hapë rrugë, për me zbrazë. Kështu jemi duke punu” – tha Kelmendi. Ndërsa, kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Ambienti”, Diedon Berisha, tregoi për KALLXO.com se janë duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për lokalizimin e zjarrit. Ai tha se zjarri mund të vijë nga faktorë të ndryshëm, pa e përjashtuar zjarrvënien e qëllimshme.
“Mundet me qenë edhe zjarrëvënie me qëllim por mundet me qenë edhe për arsye të temperaturave të larta të cilat janë këto ditë. Për zjarrin e tashëm, ne jemi duke e menaxhu nga dita e djeshme që e kemi marrë informacionin në ora për ndezjen e zjarrit, me fillimin e tij. Ne kemi fillu të bëjmë raportime të menjëhershme për të mos kriju panik në popull.” – theksoi Berisha.
Berisha po ashtu tregoi se gjatë ditës së sotme kanë vazhduar njëjtë me procesin e mbledhjes së mbeturinave. Gjithashtu, ai sqaroi se janë duke planifikuar edhe vendosjen e kamerave të sigurisë me qëllim të rritjes së sigurisë në raste të tilla. Tutje, nga Komuna e Pejës treguan se po planifikojnë mbylljen e deponisë së vjetër dhe hapjen e një të reje “me standarde europiane”.
Faik Zekaj, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, potencoi se hapja e një deponie të re ka qenë projekt i Bashkimit Europian. Për këtë, Zekaj tha se pas procesit të sanksioneve (ndaj Kosovës), Komuna përsëri e ka nënshkruar marrëveshjen e re për krijimin e deponisë së re dhe mbylljen e deponisë së vjetër.
“Në fakt ka qenë një projekt i Bashkimit Europian për financim të mbylljes së deponisë së vjetër dhe hapjes së një deponie të re, me standarde europiane, që mos me pasë rrezikshmëri për zjarre. Por siç e dijmë me vite kemi qenë në sanksione të Bashkimit Europian dhe nuk kemi mujtë me i shfrytëzu ato mjete që kanë qenë të ndame dhe na e kemi pasë pjesën tonë.
Tash e kemi rinënshkru marrëveshjen e re pasi janë heqë sanksionet e Bashkimit Europian për Kosovën. Po shpresoj që shumë shpejt ka me fillu mbyllja e kësaj deponie dhe hapja e deponisë së re.” – u shpreh ai. E njëjta deponi ishte kapluar nga zjarri edhe gjatë vitit të kaluar, më . www.kallxo.com
