Spanja feston kualifikimin në finalen e Kampionatit Botëror, pasi mposhti Francën me rezultat 2:0 në gjysmëfinale. Pas ndeshjes, protagonistët e “La Roja”-s nuk e fshehën emocionin, duke theksuar se skuadra ka fituar të drejtën të ëndërrojë për titullin e botës, ka shkruar media spanjolle “Marca”..
Futbollisti Mikel Oyarzabal, autor i golit të parë nga pika e bardhë, tha se gjithçka është rezultat i përgatitjes dhe besimit në momentet vendimtare. “Bëhet fjalë për ta vizualizuar penalltinë, që ato momente që mund t’i përjetosh t’i kesh më parë në mendje dhe të kesh një rutinë kur të vijë ai çast”, u shpreh Oyarzabal.
Ai barazoi rekordin e David Villas për numrin e golave të shënuar me Spanjën në Kampionatet Botërore, por theksoi se suksesi i ekipit është më i rëndësishëm se statistikat personale. “Nëse mund ta ndihmoj skuadrën edhe pa shënuar, do të jem po aq i lumtur. Kur ke atë përgjegjësi dhe të vjen momenti, duhet ta bësh sa më mirë për ekipin”.
Lidhur me finalen, ai shtoi: “E kemi fituar të drejtën të ëndërrojmë dhe ta kemi titullin në mendje. Shpresoj që pas pesë ditësh ta vendosim qershinë mbi tortë.” Edhe Pedro Porro, autor i golit të dytë, e përshkroi mbrëmjen si realizim të një ëndrre. “Është një ëndërr e bërë realitet, as në ëndrrat e mia më të bukura nuk e kam imagjinuar këtë.
Jam shumë i lumtur për qëndrimin e ekipit nga fillimi deri në fund. Zhvilluam një ndeshje të madhe dhe e merituam kualifikimin. Ky është sukses i të gjithë skuadrës, jo vetëm i imi”. Ai shtoi se plani taktik funksionoi në mënyrë perfekte. “E dinim se duhej t’ua neutralizonim pikën më të fortë dhe ia dolëm. Jam shumë i lumtur.”
Ndërsa për zëvendësimin e Marcosit gjatë ndeshjes, Porro tha: “Ky është sukses i të 26 futbollistëve. Marcos po priste të shihte nëse mund të vazhdonte, por rëndësi ka që tani të gjithë jemi të lumtur.” Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, u shpreh krenar për skuadrën e tij, duke theksuar se mbetet edhe një hap drejt lavdisë.
“Tani është e vështirë ta përshkruaj atë që ndiej, por duhet të jetë diçka shumë e ngjashme me lumturinë dhe krenarinë që kam për të drejtuar futbollistë të tillë. Na ka mbetur edhe një hap dhe do të përpiqemi ta realizojmë.” Ai pranoi se tensioni ishte i madh, por e cilësoi arritjen si të jashtëzakonshme. “Të jesh në finalen e Kupës së Botës është privilegj vetëm për të zgjedhurit.
Kur e nisëm këtë projekt gati katër vjet më parë, i qëndruam besnikë idesë sonë dhe ajo na solli deri këtu.” Në fund, De la Fuente dërgoi edhe një mesazh të fortë për rivalët. “U përballëm me një nga kombëtaret më të mira në botë, por sot ata u përballën me ekipin më të mirë në botë”.
