Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, me inicialet S.D., R.R. dhe B.T., nën dyshimin se kanë kryer vepra penale që lidhen me narkotikët dhe korrupsionin.
Sipas aktakuzës, i pandehuri S.D., në cilësinë e zyrtarit korrektues në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se kishte poseduar 85.61 gramë marihuanë me qëllim që ta fuste brenda institucionit për një të burgosur.
Prokuroria bën të ditur se substanca narkotike ishte fshehur në trupin e tij dhe u zbulua gjatë një kontrolli të kryer nga zyrtarët korrektues pas pranimit të informatave operative.
Ndërkohë, i pandehuri R.R., i cili në kohën e ngjarjes po vuante dënimin në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se kishte organizuar dhe koordinuar futjen e narkotikëve në burg, duke nxitur të pandehurit e tjerë që ta kryenin veprën në këmbim të një shpërblimi në të holla.
Sipas Prokurorisë, edhe B.T. dyshohet se kishte siguruar dhe dorëzuar marihuanën me qëllim që ajo të futej në Qendrën Korrektuese, ndërsa zyrtarit korrektues i kishte ofruar 1 mijë euro ryshfet për të mundësuar futjen e substancës narkotike në institucion.
Me këto veprime, S.D. dhe B.T. akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa R.R. akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vepre penale. B.T. përballet gjithashtu edhe me akuzën për “Dhënie të ryshfetit”.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, për të pandehurin S.D. është kërkuar edhe dënimi plotësues me ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
