Katër persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer dy raste të veprës penale “Grabitje” dhe një rast të veprës penale “Detyrim” në Prishtinë. Policia e Kosovës njoftoi se arrestimet janë kryer pas veprimeve hetimore dhe operative të zhvilluara nga hetuesit e Sektorit të Hetimeve të Kryeqytetit, të cilët kanë arritur t’i identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarit.
Sipas Policisë, të arrestuar janë: F.A., 18 vjeç, L.K., 19 vjeç, F.K., 19 vjeç, F.A., 18 vjeç. Me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Policia ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave të rasteve.
