Vllaznia ka nisur me humbje fazën përgatitore në Slloveni, teksa u mposht me rezultatin e thellë 4-0 nga Olimpia e Ljubjanës në testin e parë miqësor të verës. Përballja me një nga skuadrat më të forta të futbollit slloven shërbeu si një provë e rëndësishme për kuqeblutë, por ajo nuk la shijen e duhur në kampin shkodran.
Në pjesën e parë, trajneri aktivizoi një pjesë të mirë të futbollistëve që pritet të kenë rol të rëndësishëm gjatë sezonit të ardhshëm. Në fushë u panë emra si Jukaj, Çelikoviç, Pusi, Hajdari, Ara, Dros, Tafili, Qato, Brajkoviç, Balaj dhe Murataj.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve, Vllaznia e mbylli fraksionin e parë në disavantazh minimal 1-0 përballë një kundërshtari që tregoi më shumë ritëm dhe qartësi në lojë. Në 45 minutat e dyta, stafi teknik vendosi të bëjë ndryshime të shumta, duke i dhënë hapësirë një numri të madh futbollistësh të rinj, si edhe lojtarëve të ekipit B.
Kjo ndikoi në ekuilibrat e skuadrës, ndërsa Olimpia përfitoi për të shtuar presionin dhe për të gjetur edhe tri herë të tjera rrugën e rrjetës. Pavarësisht rezultatit të rëndë, ky test mbetet pjesë e procesit të përgatitjeve verore, ku objektivi kryesor është vlerësimi i grupit dhe rritja graduale e formës fizike.
Stafi teknik pati mundësinë të shohë në aksion pothuajse të gjithë futbollistët e grumbulluar në Slloveni, duke marrë indicie të vlefshme për vazhdimësinë e fazës përgatitore.
