Pagesa në vlerë 207 mijë e 53 euro të ekzekutuara nga Thesari e që i takojnë buxhetit të Universitetit të Prishtinës, për shkak të disa vendimeve gjyqësore, janë regjistruar në kategori ekonomike jo adekuate gjatë vitit 2025.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se prej tyre, për paga nga kategoria e investimeve kapitale ishin kryer pagesa në vlerë prej 62 mijë e 558 euro, kurse nga mallra dhe shërbime pagesa në vlerë prej 144 mijë e 495 euro ishin kryer për paga dhe investime kapitale.
“Keq klasifikimi ishte rezultat i ekzekutimit të pagesave nga Thesari për pagesat e vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore. Pagesat e kryera nga kategoritë joadekuate ekonomike ndikojnë në prezantim jo të drejtë të shpenzimeve, duke shkaktuar mbivlerësim/nënvlerësim në kategoritë ekonomike përkatëse.” – thuhet në raportin e ZKA-së për UP-në.
Sipas ZKA-së, menaxhmenti i udhëhequr nga rektori Arben Hajrullahu është pajtuar me këtë gjetje të tyre. Megjithatë, ZKA ka rekomanduar që rektori të sigurojë që janë ndërmarrë veprime të mëtejme në koordinim me Ministrinë e Financave në mënyrë që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit dhe që pagesa dhe regjistrimi i shpenzimeve të bëhet sipas kategorive ekonoike adekutare, për të mundësuar raportimin e drejtë të tyre në përputhje më planin kontabël.
Raporti i ZKA-së për UP-në për vitin 2025 ka rezultuar me 6 rekomandime, të cilat janë të përsëritura. Kurse, për rekomandimet e vitit të kaluar, ZKA thotë se Universiteti i kishte zbatuar dy prej nëntë rekomandimeve të dhëna dhe një është mbyllur.
Sipas ZKA, UP në vitin 2025 ka shpenzuar 30 mijë e 478 euro e 129 centë apo 90% e buxhetit final me një zvogëlim prej 5% krahasuar me vitin 2024. Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë Opinion të kualifikuar Universitetit të Prishtinës në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2025.
Opinioni i kualifikuar është Opinioni i dytë më i mirë që u jepet institucioneve pas Opinionit të pamodifikuar. Ky Opinion jepet kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në Pasqyrat financiare. Raportin e plotë të auditimit të UP-së për vitin 2025 mund ta gjeni në këtë LINK .
