Një organizatë joqeveritare në Vushtrri ka përfituar 5 mijë e 200 euro nga Komuna për një projekt sportiv, por nuk ka dorëzuar as raport narrativ dhe as raport financiar për realizimin e tij. Kështu ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).
Sipas raportit të auditimit të performancës për vitin 2025, subvencioni ishte ndarë përmes thirrjes së Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ndërsa OJQ-ja përfituese nuk kishte raportuar për mënyrën se si janë shpenzuar fondet publike dhe as për aktivitetet e realizuara.
Auditori ka evidentuar se edhe në rastet kur disa organizata të tjera kanë dorëzuar raporte narrative dhe financiare, ato nuk kanë njoftuar ekipin monitorues për aktivitetet që do të zhvillonin. Kjo, sipas ZKA-së, ua ka pamundësuar monitoruesve të marrin pjesë në terren dhe të verifikojnë në mënyrë objektive zbatimin e projekteve të financuara nga komuna.
Sipas raportit, këto mangësi kanë ardhur si rezultat i kontrolleve të pamjaftueshme nga ana e mbikëqyrësve të projekteve. ZKA vlerëson se mungesa e monitorimit dhe raportimi i mangët nga përfituesit rrit rrezikun që fondet publike të mos shpenzohen në mënyrë efektive dhe të mos arrihen qëllimet për të cilat janë ndarë subvencionet.
“Kryetari duhet të sigurojë mekanizma të monitorimit dhe raportimit, me qëllimin që përfituesit e subvencioneve të dorëzojnë raporte mbi shfrytëzimin e fondeve publike në afatet e përcaktuara”- thuhet në raport. Po ashtu, ZKA ka rekomanduar që organizatat që nuk përmbushin obligimet për raportim të përjashtohen nga e drejta për të përfituar subvencione në të ardhmen.
Menaxhmenti i komunës është pajtuar me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Komuna e Vushtrrisë ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.
Ky raporti i ZKA-së për Komunën e Vushtrrisë ka rezultuar me 16 rekomandime, prej tyre 4 janë rekomandime të reja dhe 12 janë të përsëritura. Në raportin e auditimit në vitin 2024, kjo komunë kishte marrë gjithashtu 16 rekomandime. Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU .
