Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas arrestimit të pesë ish-pjesëtarëve të policisë së Serbisë, të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut, duke thënë se ky rast ka munguar për vite të tëra në prioritetet e institucioneve të drejtësisë.
Në mbledhjen e Qeverisë, ai tha se afro 27 vjet e gjysmë pas masakrës së Reçakut janë arrestuar pesë të dyshuar, duke përgëzuar institucionet për këtë veprim, i cili sipas tij erdhi pas një hetimi gjashtëmujor. “Afër 27 vjet e gjysmë pas masakrës së Reçakut janë arrestuar pesë ish-pjesëtarë të policisë së Serbisë.
Derisa përgëzojmë institucionet për arrestimin e të dyshuarve, pas siç u tha pas një hetimi për 6 muaj, nuk mund të mos vëmë në spikamë faktin se deri në vitin 2020 nuk është marrë askush me këtë rast”, tha Kurti. Sipas tij, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjë nuk kishte të bënte me masakrën e Reçakut.
“Rrjedhimisht nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjë nuk ishte për masakrën e Reçakut. Në anën tjetër kemi 6 muaj hetim, ndërkohë kemi më shumë se dy dekada dështim apo pa kurrfarë përpjekje për ndjekje të përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi në lidhje me këtë rast”, deklaroi ai.
Kurti theksoi se kalimi i kohës po e vështirëson gjithnjë e më shumë sigurimin e drejtësisë për krimet e luftës, pasi dëshmitarët po plaken dhe shumë prej tyre po humbin jetën. “Derisa po afrohemi 3 dekada nga lufta e fundit, dëshmitarët po plaken e jo pak po vdesin. Si qeveri jemi të interesuar dhe të angazhuar të ndihmojmë në këtë drejtim”, tha Kurti.
Masakra e Reçakut, e kryer më , konsiderohet një nga krimet më të rënda të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe një nga ngjarjet që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të atëhershëm të Serbisë.
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj pesë të pandehurve të cilët janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në masakrën e Reçakut. KALLXO.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të dyshuarve. Kërkesa përfshin edhe dosjen për secilin prej të arrestuarve.
Sipas kërkesës, në periudhën kohore 1998 – 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Reçak, komuna e Shtimes, me dashje, në bashkëkryerje, Novica Peçinoqeviq, Stanoje Janiçeviq, Borko Paliq, Sllaxhan Milisavleviq dhe Stanko Saviq kanë shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
Sipas kërkesës së PSRK-së, Novica Peçinoqeviq, Stanoje Janiçeviq, Borko Paliq, Sllaxhan Milisavleviq ishin pjesëtarë të Njësive të Veçanta të Policisë (PJP) të Serbisë, kurse Stanko Saviq ishte polic në stacionin policor në Ferizaj.
Në pikën e parë të kërkesës thuhet se më në fshatin Reçak të pandehurit ishin pjesë e aksionit policor të forcave policore serbe, me ç‘rast morën pjesë dhe kontribuuan në vrasjen e 42 civilëve të fshatit Reçak, ashtu që njësitë e lartcekura në ditën e ngjarjes, rreth orës të mëngjesit, e rrethuan fshatin, fillimisht e granatuan nga distanca prej disa vendeve të njohura si: „Pishat“, „Gështenjat“, „Çesta“ dhe “Guri i Shpum”, pastaj me automjete të blinduara, hynë në fshat dhe filluan të kontrollonin shtëpi për shtëpi.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, në oborrin e shtëpisë së R.R. fillimisht e vrasin B.K. të cilit pastaj edhe ia presin kokën; në vendin e quajtur “Vrella” i vrasin H.M., S.S., A.M.; në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin A.M., dhe fqinjin e tij H.J.; në afërsi të shtëpisë së Z.M. i vrasin S.H., H.M.; vazhdojnë në drejtim të lagjes Beqaj, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u dalin në pritë policët serbë, të cilët pa paralajmërim kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, duke i vrarë: H.B., R.B., dhe Z.B., kurse mbetën të plagosur A.B., Z.B., dhe F.B.
Tutje, në vazhdim të operacionit të tyre policor dhe ushtarak forcat serbe hynë në lagjen Emini, e cila gjendej në pjesën perëndimore të fshatit, ku me armë zjarri në oborrin e tij e plagosën në këmbë I.E., dhe e vranë vëllanë e tij A.E., që të dy civilë.
Në dosje tutje theksohet se më pas në vendin e quajtur “Çeshma” forcat serbe i vranë civilët B.M., vajzën e tij H.M., ndërsa të plagosur mbetën: E.M., M.H., F.H., dhe H.B.
Në një pjesë tjetër të fshatit nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit dhe shitores së Lutës (siç e quajnë fshatarët) forcat serbe gjuajnë me armë të kalibrave të ndryshëm në drejtim të vendit ku ishin strehuar civilët dhe në këtë moment e vrasin plakun N.I, në mënyrë mizore duke i thyer kafkën, siç përshkruhet në raportin e autopsisë, më pas një tjetër grup i forcave serbe shkuan në shtëpinë e Sadik Osmanit dhe aty i gjetën të strehuar rreth 70 banorë civilë të fshatit, fillimisht i ndanë burrat nga gratë, pastaj burrat i torturuan në oborr të shtëpisë dhe pas marrjes së një urdhri me radiolidhje nga udhëheqësit e këtij operacioni, forca policore i morën burrat i nxjerrin nga oborri një nga një dhe në kolonë për një i nisin në drejtim të malit për tek ”Kodra e Bebushit”, kurse policia paraprakisht e kishte rrethuar rrugicën në të dy anët duke pritur ardhjen e civilëve dhe në momentin që civilët arrijnë në këtë lokacion duke ecur në kolonë, papritmas nga të dy anët e rrugicës fillojnë të shtëna me armë automatike nga të gjitha anët – pa ndërprerë, për disa minuta, duke i ekzekutuar njëzet e katër (24) persona në mënyrë mizore, Në dosjen e PSRK-së theksohet se nga ky operacion i forcave policore serbe u vranë mizorisht dyzetedy (42) civilë, të të dy gjinive, të moshave të ndryshme, të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
Në kërkesën e Prokurorisë tutje thuhet se më , në fshatin Reçak, të pandehurit e lartcekur në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuuan në trajtimin çnjerëzor të rreth 30 civilëve të fshatit Reçak.
“Derisa po ekzekutonin një plan operacional të përshkruar në pikën 1 të këtij dispozitivi, gjatë kontrollit shtëpi për shtëpi vërejtën që në shtëpinë e Sadik Osmanit, në të paktën dy vende, ishin strehuar rreth 70-të banorë civilë shqiptarë, ashtu që në shtëpi ishin strehuar rreth 30 gra dhe fëmijë, ndërsa në vendin e quajtur ‘Ahuri i bagëtive’ ishin strehuar mbi 30 burra.
Fillimisht forcat serbe nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit gjuajtën me armë të kalibrave të ndryshëm në drejtim të vendit ku ishin strehuar civilët dhe në këtë moment e vrasin plakun N.I., më pastaj e rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe rreth 30-40 policë hynë në oborr të shtëpisë, që të gjithë të armatosur, pastaj nën kërcënimin e armëve i detyruan të gjithë burrat të dalin nga vendstrehimi dhe të vendosën në oborr, ndërsa gratë dhe fëmijët i mbyllën me çelës në bodrum, më pastaj pasi i kanë legjitimuar burrat, i kanë shtrirë për toke dhe filluan t´i rrahin në mënyrë çnjerëzore duke përdorur kondakët e armëve, shqelma, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta” – thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se nga video-materiali i marrë nga arkivi i RTK-së, konkretisht intervista me viktimën (sipas dosjes), një person në moshë të shtyrë, i cili u nënshtrohet pyetjeve të përsëritura dhe udhëzuese të gazetarëve serbë që ushtrojnë presion të vazhdueshëm psikologjik për ta detyruar të deklarojë praninë dhe numrin e pjesëtarëve të UÇK-së në fshat, diçka që i moshuari e mohon vazhdimisht, duke thënë se nuk ka njohuri.
Sipas PSRK-së, këtë presion psikologjik dhe manipulim mediatik në fund të intervistës, intervistuesit e dyshuar në prani të kamerës e godasin plakun me shufër e më pas plaku dëgjohet duke bërtitur i tronditur: “Oh shkova nanë bre, oh nana jem shkova bre! E qa me thanë bre se s’po di?”.
Ndërsa gazetari serb i drejtohet me tone urdhërore për qetësi moment ky që përkon me kërkesën e njërit prej të dyshuarve që thot: “Ama pendrek”, duke krijuar përshtypjen e qartë të ushtrimit të dhunës fizike me shufër.
Sipas dosjes, kjo pamje dhe ky keqtrajtim i dokumentuar ka shtyrë dy dëshmitarë që të paraqiten në polici, të cilët kanë raportuar për personin e dyshuar Stanko Saviq si njëri nga intervistuesit e plakut dhe pjesëmarrësit në këtë video-material.
Ndërsa tutje thuhet se në bazë të informatës së pranuar nga dëshmitarët e dëgjuar deri më tani dhe në bazë të video-materialit “Plaku i Reçakut” ekziston dyshimi i arsyeshëm se Stanko Saviq është njëri nga të dyshuarit të cilët e kanë detyruar plakun që të gënjejë para kamerave për numrin e pjesëtarëve të UÇK-së në atë zonë dhe më pas maltretimin fizik të tij.
Video-materialin e përmendur në dosje mund ta shikoni . Tutje, sipas dosjes, pastaj të dëmtuarit e dëgjuan një komunikim në radiolidhjen e njërit prej policëve që ishte prezent, dhe pas këtij komunikimi policia serbe i morën të dëmtuarit dhe i vendosën në kolonë dhe i detyruan që të shkojnë në drejtim të zonës malore të njohur me emrin ”Kodra e Bebushit”, me ç‘rast, disa prej tyre i ekzekutojnë, në formën dhe mënyrën siç përshkruhet në pikën 1 të dispozitivit.
Ndërsa, tutje, thuhet se në datën e lartcekur forcat policore ushtarake serbe ku bënin pjesë dhe të pandehurit, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuuan në shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të fshatit Reçak.
Sipas kërkesës, fillimisht e rrethuan fshatin Reçak në tre drejtime nga vendet e quajtura ‘’Pishat“, “Gështenjat” dhe “Çesta”, pastaj nga distanca e granatuan me të gjitha mjetet ushtarake dhe në fund me automjete të blinduara hynë në fshat dhe kontrolluan shtëpi për shtëpi, ashtu që banorët e strehuar i nxorën nga shtëpitë e tyre kurse shtëpive u vinin zjarrin duke i djegur të gjitha shtëpitë, me ç‘rast e shkatërruan të gjithë pasurinë e paluajtshme dhe të luajtshme duke i shkaktuar dëm të madh material popullsisë civile.
Ndërsa në pikën e katërt të kësaj kërkese thuhet se forcat policore ushtarake serbe, ku bënin pjesë edhe të pandehurit, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuuan në dëbimin e popullsisë civile të fshatit Reçak të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
“Fillimisht e rrethuan fshatin Reçak në tre drejtime nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, pastaj nga distanca e granatuan me të gjitha mjetet ushtarake, më pas me automjete të blinduara hynë në fshat dhe kontrolluan shtëpi për shtëpi, me ç‘rast banorët e strehuar i nxorën nga shtëpitë e tyre, i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, këta të fundit i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i vranë në mënyrën e përshkruar në pikën 1 të dispozitivit, me ç’rast rreth 20,000 civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Andaj, sipas Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile (e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 dhe 30 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP i RSFJ-së”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale aktualisht e paraparë si – krim kundër njerëzimit (e sanksionuar me nenin 143 lidhur nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (tutje “KPRK”).
KALLXO.com raportoi të dielën më se pesë persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni të Prokurorisë Speciale, që është duke u zhvilluar për hetimin e krimeve të luftës. Në një konferencë për media pas përfundimit të aksionit , prokurori Ilir Morina tha se aksioni vjen pas 6 muajsh hetime.
“Gjatë hetimeve që kemi kryer përgjatë këtyre gjashtë muajve, kemi arritur t’i identifikojmë disa persona të cilët kanë qenë pjesë e njësive të posaçme të Policisë së Serbisë në atë kohë të cilat kanë marrë pjesë në aksionin e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak.
Kemi bo kërkesë te gjyqtari i procedurës paraprake të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku kemi kërkuar urdhër-arrestin dhe urdhër-bastisjen. Sot në orët e hershme të mëngjesit, së bashku me Policinë kemi arrestuar pesë persona, të cilët janë të përfshirë në kryerjen e masakrës së Reçakut” – ka thënë prokurori Ilir Morina.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, i cili ka udhëhequr aksionin për arrestimin e pesë personave të nacionalitetit serb, si të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut, ka thënë se me këtë rast nuk është marrë askush deri në vitin 2020 .
Në një konferencë për media, Morina ka thënë se Kosova ka trashëguar mijëra lëndë nga EULEX-i, por asnjë rast nuk është trashëguar për masakrën e Reçakut.
