Kuraçao thyen çdo rregull të futbollit modern dhe bëhet historia më e veçantë e Kupës së Botës Kuraçao mund të ketë vështirësi për të gjetur rrugën e golit në këtë Kupë Bote, por jashtë fushës gjithçka po funksionon në mënyrë perfekte.
Përfaqësuesja e vogël nga Karaibet, që po merr pjesë për herë të parë në një Botëror, ka zgjedhur një formulë krejt të pazakontë: futbollistët lejohen të qëndrojnë në hotel së bashku me bashkëshortet dhe familjet e tyre.
Trajneri holandez Dik Advokat ka vendosur të sfidojë traditën e futbollit ndërkombëtar, duke u dhënë lojtarëve mundësinë të ndajnë dhomat me partneret gjatë qëndrimit në Florida. Një rregull i rrallë në futbollin e kombëtareve Në shumicën e ekipeve kombëtare, hotelet e skuadrës konsiderohen “territor i shenjtë”, ku lejohen vetëm lojtarët dhe stafi teknik.
Familjet zakonisht akomodohen diku tjetër për të shmangur shpërqendrimet. Mjafton të kujtojmë Anglinë në Botërorin 2006, kur aventurat e famshme të “WAG”-ve në BadenBaden pushtuan titujt e mediave. Katër vite më vonë, trajneri Fabio Kapelo kufizoi ndjeshëm kontaktet e lojtarëve me partneret e tyre.
Sot futbollistët anglezë mund të takojnë familjet gjatë turneut, por nuk lejohen të kalojnë natën me to. Kuraçao ka zgjedhur një rrugë krejt tjetër. Mjekja e ekipit: Po, seksi ndihmon Suzan Hurman, e vetmja mjeke femër në këtë Kupë Bote, shpjegoi se futbollistët mund të ndajnë dhomat ose me shokët e skuadrës, ose me familjet e tyre.
Madje ajo beson se intimiteti me partneren mund të ketë ndikim pozitiv gjatë një turneu kaq të gjatë. “Po, besoj se seksi ndihmon, por më shumë nga ana emocionale sesa për ndonjë efekt të drejtpërdrejtë fizik”, tha Hurman. “Kur familja është pranë, lojtarët e ndjejnë më pak mungesën e shtëpisë dhe janë më të qetë”.
Sipas saj, federata ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet për partneret dhe fëmijët e lojtarëve, pasi shumë prej tyre nuk do të kishin mundësi ekonomike të qëndronin për javë të tëra në Shtetet e Bashkuara. “Kuraçao është një vend i vogël, me njerëz të ngrohtë dhe shumë familjarë. Disa lojtarë do të ishin të stresuar ose të shqetësuar nëse familjet nuk do të ishin pranë tyre”.
Vetëm një pikë në fushë, por një sukses historik Rezultatet sportive nuk kanë qenë aq të buzëqeshura sa atmosfera në hotel. Kuraçao ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e para, duke barazuar 0-0 me Ekuadorin dhe më pas duke pësuar një humbje të rëndë 7-1 ndaj Gjermanisë.
Megjithatë, për kombin më të vogël që ka arritur ndonjëherë të kualifikohet në një Kupë Bote, vetë pjesëmarrja konsiderohet një fitore e madhe. Portieri hero që kërkon statujë Njeriu i momentit për Kuraçaon është portieri Elroj Rum, protagonisti absolut i barazimit historik kundër Ekuadorit.
Ai realizoi plot 15 pritje, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë nga një portier në 90 minuta të një ndeshjeje të Kupës së Botës. Pas sfidës, Rum nuk e fshehu krenarinë: “Për ne kjo ndihet si fitore. Është pika e parë në historinë tonë në Kupën e Botës dhe do ta kujtoj edhe pas 40 vitesh”. Madje ai shtoi me humor: “Mendoj se tani meritoj një statujë në Kuraçao”.
Në Botëror, Rum shoqërohet nga bashkëshortja e tij serbe, influencerja e njohur Zoranah, e cila ka qenë pranë tij gjatë gjithë aventurës amerikane. Performanca e jashtëzakonshme kundër Ekuadorit e ktheu Rum në një fenomen të rrjeteve sociale. Portieri i “Miami FC” kishte rreth 122 mijë ndjekës në Instagram para ndeshjes.
Brenda një ore numri i tyre u rrit në 724 mijë, ndërsa deri të dielën pasdite kishte kaluar shifrën e një milion ndjekësve. Shpërthimi i famës erdhi pas një p araqitjeje ku ai ndali vazhdimisht sulmuesit ekuadorianë, duke mbajtur gjallë ëndrrën e kombëtares së tij deri në fund. Edhe autobusi i tyre u bë viral Kuraçao kishte pushtuar rrjetet sociale edhe para fillimit të turneut.
Ndërsa yjet e futbollit udhëtonin me avionë privatë dhe autobusë luksozë, futbollistët e kombëtares karaibiane u filmuan duke udhëtuar në një autobus të vjetër, pa xhama në dritare. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në internet, duke bërë që shumë tifozë t’i krahasojnë me ekipin legjendar të bobit të Xhamajkës, i përjetësuar në filmin e famshëm “Cool Runnings”.
Nga autobusi i vjetër te pika historike në Botëror, Kuraçao po jeton një përrallë të pabesueshme, dhe ndoshta sekreti i suksesit të tyre nuk është taktika, por familja.
