As reshjet e shiut që kanë nisur pak më parë në kryeqytet nuk e kanë zbehur revoltën qytetare. Ka nisur dita e 25-të e protestës masive para Kryeministrisë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur sërish për të kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Një prej protestuesve pasi ka përsëritur kërkesat e revoltës, ka paralajmëruar përshkallëzimin e protestës deri në bllokimin e institucioneve. “Shqiptarët nuk do tolerojnë më këta të korruptuar që nuk shkulen nga institucionet. Përshkallëzimi do shkojë deri në bllokimin e institucioneve nëse këta zyrtarë të korruptuar do i uzurpojnë ato me dhunë”, u shpreh ai.
Sakaq, protestuesit kanë renditur sërish në mënyrë të prerë pikat e panegociueshme, ku në krye qëndron largimi i menjëhershëm i Edi Ramës dhe instalimi i një kabineti teknik për të përgatitur zgjedhjet. Kërkesat kryesore të rilexuara sot në shesh: Dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama. Krijimi i një qeverie teknike me një mandat të qartë 12-mujor.
Ndryshime rrënjësore kushtetuese dhe ligjore, ku përfshihen: Reformimi i plotë i Kodit Zgjedhor; Rregulla të reja e të rrepta për financimin e partive politike; Kufizimi i mandatit të kryeministrit në maksimum vetëm dy mandate.
Anulimi urgjent i politikave dhe ligjeve që dëmtojnë interesin publik, konkretisht: Ligji për Zonat e Mbrojtura; Ligji për Trashëgiminë Kulturore; E ashtuquajtura “Paketa e Maleve”; Ligji për Statusin e Investitorëve Strategjikë. Hartimi i një kontrate të re sociale mes qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë.
