Tronditet NBA: Giannis largohet nga Bucks pas 13 vitesh, transferohet te Miami Heat

0%

Një nga transferimet më të bujshme në historinë e NBA-së është bërë realitet, pasi Giannis Antetokounmpo po largohet nga Milwaukee Bucks për t’iu bashkuar Miami Heat.

Sipas raportimeve të shumta nga mediat amerikane, përfshirë ESPN, Heat fitoi garën me Boston Celtics për nënshkrimin e superyllit grek, i cili është shpallur dy herë lojtari më i vlefshëm i NBA-së (MVP) dhe ka fituar titullin e kampionit me Bucks në vitin 2021.

Marrëveshja parashikon që Miami të marrë Giannis Antetokounmpon dhe Bobby Portis, ndërsa në drejtim të Milwaukee do të transferohen Tyler Herro, Kel’el Ware, Jaime Jaquez Jr dhe Kasparas Jakucionis. Përveç lojtarëve, Bucks do të përfitojnë edhe tri zgjedhje të raundit të parë në draft, të drejtën e shkëmbimit të një zgjedhjeje dhe një zgjedhje të raundit të dytë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Largimi i Antetokounmpos i jep fund më shumë se një viti spekulimesh rreth së ardhmes së tij në Milwaukee, skuadra e vetme për të cilën kishte luajtur që nga draftimi i tij në vitin 2013. Marrëdhënia mes yllit grek dhe drejtuesve të klubit ishte tensionuar muajt e fundit.

Antetokounmpo kishte shprehur publikisht pakënaqësinë e tij pasi nuk u lejua të luante pas një dëmtimi në gjurin e majtë, edhe pse ai këmbëngulte se ishte i gatshëm për të ndihmuar ekipin. Pas dështimit të Milwaukee për të siguruar një vend në play-off, duke e mbyllur sezonin me bilanc 32 fitore dhe 50 humbje, Giannis kritikoi edhe ndërtimin e skuadrës.

“Mendoj se ndonjëherë njerëzit thjesht nuk dëgjojnë. Ata dëgjojnë burimet. Burimi kryesor jam unë. Por, kështu janë gjërat”, kishte deklaruar Antetokounmpo në prill.

Kalimi te Miami Heat i ofron 31-vjeçarit një mundësi të re për të garuar për titullin e NBA-së, ndërsa Bucks hyn në një epokë të re pas largimit të lojtarit që u shndërrua në simbolin e klubit gjatë më shumë se një dekade./ Telegrafi

Burimi: Telegrafi