“Talljet nuk janë rastësore” – Publicisti ‘shpërthen’ ndaj Ramës pas deklaratës së fundit për shqiptarët e Kosovës

0%

Kohët e fundit, deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mbi protestat kanë ngjallur debat publik. Ai i ka lidhur këto protesta me ndikimin e rrjeteve sociale dhe me atë që e quan “histeri kolektive”, duke sugjeruar se shpesh ato shoqërohen edhe me kërkim vëmendjeje.

Në të njëjtin kontekst, Rama ka përdorur edhe tone ironike ndaj pjesëmarrjes së qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke hapur diskutime mbi mënyrën se si interpretohet solidariteti ndërshqiptar dhe kufijtë e tij në debatet politike dhe publike.

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca, i cili u shpreh se Rama me ironizimin e tij dëshiron ta zhvendos fokusin nga protesta në Tiranë. Sipas tij, pas gjithë kësaj revolte ndaj tij, Ramës po i duhet një përçarje ndaj shqiptarëve jashtë për të mbijetuar politikisht.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Lis Bukuroca “Mendoj se ironizimi i Edi Ramës ndaj shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut kishte një qëllim të qartë politik: ta relativizojë protestën dhe ta zhvendosë fokusin nga pakënaqësia reale brenda Shqipërisë te shqiptarët jashtë. Pra, mesazhi i tij ishte: problemi nuk qëndron te qeverisja, por te perceptimet, emocionet kolektive dhe ndikimet e jashtme.

I duhet një përçarje, paragjykime ndaj shqiptarëve jashtë, për të mbijetuar brenda. Kjo është një strategji në politikë: kur rritet pakënaqësia e brendshme, krijohet narrativa se revolta po fryhet artificialisht nga rrjetet sociale, nga propaganda ose nga aktorë të jashtëm”.

Megjithatë, Bukuroca vlerëson se me këtë qasje kryeministri po i nënvlerëson protestuesit dhe gjithë shqiptarët nga trojet e tjera. Sipas tij, interesimi i shqiptarëve për atë që ndodh në Tiranë është i natyrshëm dhe po ashtu legjitim.

“Po, unë mendoj se me këtë qasje Rama po nënvlerëson jo vetëm protestuesit, por edhe të drejtën legjitime të shqiptarëve nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare për të shprehur solidaritet dhe shqetësim për zhvillimet në Shqipëri. Shqipëria nuk është thjesht një shtet administrativ për shqiptarët jashtë kufijve të saj; ajo ka edhe peshë simbolike, kombëtare dhe emocionale.

Për këtë arsye, interesimi i shqiptarëve jashtë Shqipërisë për atë që ndodh në Tiranë është i natyrshëm dhe legjitim”. Për këtë, publicisti vlerëson se talljet dhe ironia e Ramës nuk janë rastësore dhe se flasin më shumë pozitën e tij të vështirë politike sesa për protestuesit. Në fund, ai u shpreh se Rama është në hall të madh pas gjithë kësaj revolte popullore.

“Tallja dhe sarkazma ndaj tyre nuk mendoj se janë rastësore. Ato janë pjesë e një përpjekjeje për ta shfuqizuar kritikën dhe për ta paraqitur pakënaqësinë si të tepruar ose të importuar.

Por realiteti është ndryshe: burimi kryesor i revoltës nuk vjen nga jashtë Shqipërisë, por nga brenda saj; nga pakënaqësitë e akumuluara për standardin e jetesës, për mungesën e transparencës, për pengimin e drejtësisë, për korrupsionin, tenderët dhe krizën e besimit ndaj institucioneve. Prandaj, reagimi i Ramës më shumë flet për pozitën e tij të vështirë politike sesa për protestuesit.

Kur pushteti fillon ta zëvendësojë argumentin me ironi dhe sarkazëm, kjo shpesh tregon vështirësi për t’u përballur me thelbin e problemit. Ai po mban ligjërata dhe nuk po merret me problemin! Rama është në gazep! E tregon sapo hap gojën!” – përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot