Stuhitë e forta që përfshinë gjatë natës jugun e Britanisë kanë shkaktuar probleme të shumta, duke detyruar mbylljen e përkohshme të Aeroportit të Bristolit dhe duke lënë qindra banesa pa energji elektrike.
Sipas autoriteteve, aeroporti pezulloi operimet për shkak të një defekti në sistemet e kontrollit të trafikut ajror, ndërsa pasagjerëve iu kërkua të kontaktonin linjat ajrore për informacion mbi fluturimet e tyre. Ndërkohë, një goditje rrufeje dyshohet se shkaktoi zjarr në një banesë në zonën e Emersons Green.
Ekipet zjarrfikëse ndërhynë për disa orë dhe arritën ta vinin situatën nën kontroll pa raportime për persona të lënduar. Zyra Meteorologjike bëri të ditur se stuhitë u shoqëruan me rreth 26 mijë goditje rrufesh në jug të Britanisë, ndërsa temperaturat ranë me 4 deri në 5 gradë Celsius në krahasim me ditët e fundit.
Po ashtu, qindra familje në zonën e Glastonbury mbetën përkohësisht pa energji elektrike si pasojë e motit ekstrem.
