PZAP-ja refuzon ankesat e dy kandidatëve të PDK-së për rinumërim të votave brenda partisë

0%

Nga: Rrezon Gashi Shpërndaje në: Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka refuzuar ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu lidhur me procesin e rinumërimit të votave. Të dy, në ankesa të ndara kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së.

Kryeziu në ankesën e tij ka pretenduar që me 185 kutitë e rinumëruara është gjetur se gjatë numërimit fillesatr është dëmtuar për afro 600 vota. Mirëpo, sipas PZAP-it, gabimet gjatë numërimit fillestar kanë qenë në favor të tij.

“Sipas të dhënave zyrtare të krahasimit ndërmjet numërimit në QKN dhe rinumërimit në QNR, votat e kandidatit me numër 103, Qëndrim Kryeziu kanë ndryshuar vetëm në dy vendvotime. Në total, kandidati ka dy vota më pak pas rinumërimit dhe jo 589 vota më shumë. Pretendimi për 589 vota nuk përputhet me të dhënat zyrtare të publikuara nga KQZ”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

E deputeti Bekim Haxhiu, që është i 23-ti për kah votat në PDK, nga 22 që kanë fituar mandat, ka pretenduar se meqë dallimi me Rrustem Mustafën, i cili është zgjedhur deputet, është 102 vota dhe rinumërimi i 7.41% e vendvotimeve ia ka kthyer Haxhiut 6 vota, një rinumërim i plotë do mund ta ndryshonte renditjen dhe përbërjen e kuvendit. Por, PZAP-i deivimet i konsideron minimale.

“Në rastin konkret, nga shkresat e lëndës rezulton se pas rinumërimit të 185 vendvotimeve janë evidentuar ndryshime në rezultatet e kandidatëve në të dy drejtimet, ku një numër kandidatësh minimalisht kanë fituar vota ndërsa kandidatë të tjerë po ashtu në mënyrë minimale kanë humbur disa vota.

Këto ndryshime nuk janë pasqyrim i një modeli të përgjithshëm ose sistematik të pasaktësive, por dëshmojnë se korrigjimet e evidentuara kanë qenë të shpërndara dhe nuk kanë prodhuar efekt të tillë që do të vinte në dyshim integritetin e përgjithshëm të procesit”. Të dielën në mesditë ka përfunduar afati për ankesa lidhur me procesin e rinumërimit.

Tash, nëse palët nuk i ankimojnë këto vendime në Gjykatën Supreme, për çka kanë kohë 48 orë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i hapet rruga për shpallje të rezultatit përfundimtar.

Burimi: Koha