“Mos instaloni përçarje”, Hasani i kundërpërgjigjet Latifit: Shqiptarët e Luginës nuk rrinë gatitu para xhandarit serb

0%

Deklaratat e profesorit Blerim Latifi për shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë nxitur reagime të shumta. Në një postim të tij, Latifi ka kritikuar shqiptarët e kësaj treve, duke thënë se nuk organizojnë protesta kundër diskriminimit dhe spastrimit të heshtur etnik që, po zbatohet nga Serbia përmes pasivizimit të adresave, ndërsa angazhohen në protesta kundër kryeministrit shqiptar Edi Rama.

“Shqiptari i Luginës së Preshevës rri gatitu para xhandarit serb. Nuk arrin të organizojë as një miniprotestë kundër spastrimit të heshtur etnik që Serbia po e zbaton përmes pasivizimit të adresave dhe masave të tjera diskriminuese, të cilat e kanë goditur rëndë të drejtat politike e qytetare të shqiptarëve atje” , ka thënë Latifi.

Lidhur me këtë, veprimtari nga Bujanoci Refik Hasani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të profesorit Blerim Latifi për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke i cilësuar ato si fyese, të pavërteta dhe përçarëse.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Hasani thënë se Lugina e Preshevës ka dëshmuar vazhdimisht organizim politik dhe rezistencë për të drejtat e saj, duke përmendur Referendumin e 1-2 Marsit 1992, kryengritjen e armatosur të UÇPMB-së dhe Marrëveshjen e Konçulit, e cila u arrit me përfshirjen e faktorit ndërkombëtar. “Mos instaloni përçarje dhe mos mashtroni opinionin e gjerë.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë organizuar Referendumin e 1-2 Marsit 1992, kanë zhvilluar kryengritjen e UÇPMB-së dhe kanë arritur Marrëveshjen e Konçulit nën monitorimin e instancave më të larta ndërkombëtare”, ka deklaruar Hasani për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se statusi politik dhe juridik i Luginës së Preshevës mbetet ende i pazgjidhur dhe se shqiptarët e kësaj krahine vazhdojnë të kërkojnë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme me garanci ndërkombëtare.

Hasani ka kundërshtuar edhe deklaratën e Latifit se shqiptarët e Luginës “nuk arrijnë të organizojnë as një miniprotestë kundër”, duke kujtuar protestat e organizuara gjatë vitit 2024 në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë kundër diskriminimit të shqiptarëve.

“Tri protesta janë mbajtur gjatë vitit 2024, në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, si demonstrime dhe marshime paqësore me mbështetje gjithëpopullore për të kërkuar ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve të Luginës”, është shprehur ai.

Duke komentuar deklaratën tjetër të Latifit se “ndërgjegjja njerëzore sikletoset nga paradokse të tilla shqiptarësh”, Hasani ka theksuar se pikërisht deklarata të tilla tregojnë mungesë njohjeje për realitetin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në fund, Hasani ka kërkuar që Blerim Latifi të kërkojë falje publike.

“Përmes këtij reagimi publik kërkohet nga Blerim Latifi të kërkojë falje publike, sepse ka fyer dhe ofenduar rëndë me etiketime të pabazuara. Këto deklarata paraqesin ngritjen e përçarjeve dhe thellimin e ndasive mes krahinave shqiptare.

Po ashtu, është më se e domosdoshme që të gjitha mediat dhe intelektualët shqiptarë, kudo që veprojnë në botë, të reagojnë ndaj këtyre fjalëve fyese”, ka përfunduar Hasani për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot