​Vuçiq përdor raportin e FSB-së për të mohuar përdorimin e “topit zanor” në protestë

0%

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka falënderuar publikisht Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) për raportin lidhur me protestën masive antiqeveritare të 15 marsit 2025 në Beograd. Këtë fundjavë, Vuçiq e përdori këtë raport për të mohuar pretendimet se forcat serbe të sigurisë përdorën armën akustike, të njohur si “top zanor”.

Gjatë një deklarate më 21 qershor, Vuçiq duke falënderuar FSB-në, tentoi të vë në pikëpyetje kredibilitetin e kritikëve të raportit. “A mendoni se Aleksandar Bortnikov do të nënshkruajë diçka që është gënjeshtër? ”, tha Vuçiq, duke iu referuar drejtorit të FSB-së.

Deklarata vjen në një kohë kur Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka nisur një hetim mbi pretendimet se incidenti i 15 marsit mund të ketë qenë rezultat i një simulimi të organizuar paraprakisht nga pjesëmarrës të protestës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kjo qasje është kundërshtuar ashpër nga lëvizja studentore, e cila e ka cilësuar hetimin si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë dhe për të larguar vëmendjen nga pyetja kryesore: çfarë ndodhi realisht gjatë protestës. Që nga dita e ngjarjes, autoritetet serbe kanë mohuar kategorikisht përdorimin e armëve akustike.

Për të mbështetur këtë qëndrim, Beogradi ftoi FSB-në ruse të kryente një hetim teknik. Raporti i publikuar më pas në faqen e Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA) arriti në përfundimin se nuk kishte prova për përdorimin e një “topi zanor”. Megjithatë, raporti rus shkaktoi polemika të shumta.

Dokumenti u publikua pa nënshkrim, ndërsa hetimi përfshinte eksperimente me pajisje akustike të policisë serbe dhe teste mbi kafshë, përfshirë qen, metodologji që u kritikua nga organizata vendase dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Pavarësisht mbështetjes së Moskës për versionin zyrtar të Beogradit, dyshimet nuk janë shuar.

Komisioni Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut kanë bërë thirrje vazhdimisht për një hetim të pavarur dhe transparent mbi ngjarjet e 15 marsit. Në anën tjetër, organizatat e shoqërisë civile në Serbi kanë mbledhur më shumë se 3,000 dëshmi nga qytetarë që ishin të pranishëm në protestë.

Shumë prej tyre raportuan se dëgjuan një zhurmë të pazakontë dhe ndien një valë force që shkaktoi panik masiv, duke detyruar mijëra protestues të largoheshin me nxitim nga rrugët e kryeqytetit.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale dhe të filmuara nga mediat treguan momentin kur turma u shpërnda papritur gjatë homazheve për viktimat e tragjedisë së Novi Sadit, duke nxitur dyshime të mëtejshme mbi përdorimin e teknologjive akustike kundër protestuesve.

Insistimi i Vuçiqit në raportin e FSB-së përfaqëson një tjetër shembull të mbështetjes politike dhe institucionale që Moska i ofron autoriteteve serbe në çështje të ndjeshme të brendshme. Për ta, Rusia nuk u paraqit si hetues i pavarur, por si një aleat strategjik që ndihmoi në mbrojtjen e narrativës zyrtare të Beogradit për një nga ngjarjet më të diskutueshme të vitit 2025.

Burimi: Bota Sot