Japonia ka pesëfishuar tarifat e vizave për të gjithë të huajt, në rritjen e parë të çmimeve në gati 50 vite, raportoi BBC.
Nga 1 korriku, tarifa për vizat me hyrje të vetme (që të lejon të hysh vetëm një herë) do të rritet nga 3,000 jen (18-20 euro) në 15,000 jen (90-100 euro), ndërsa vizat me hyrje të shumëfishta do të kushtojnë 30,000 jen (180-200 euro), nga 6,000 jen (36-40 euro), qe ishte më parë.
“Autoritetet japoneze thanë se rishikimi i tarifave – i pari që nga viti 1978 – është bërë për të pasqyruar inflacionin dhe luhatjet e kursit të këmbimit, deklaroi ministri i Jashtëm Toshimitsu Motegi. “Ne nuk presim që kjo të ketë një ndikim të menjëhershëm në turizmin hyrës”, shtoi ai.
Jeni japonez ka qenë në rënie të vazhdueshme, që nga viti 2021 dhe aktualisht, ndodhet pranë niveleve më të ulëta, në 40 vitet e fundit. Kjo, së bashku me rikthimin e udhëtimeve pas pandemisë, ka sjellë një rritje të ndjeshme të turistëve në Japoni. Vitin e kaluar, vendi priti një shifër rekord prej 42,7 milionë turistësh ndërkombëtarë.
Në maj, Dhoma e Lartë e parlamentit japonez miratoi ligjin për rritjen e tarifave të tjera, që lidhen me shtetasit e huaj. Sipas këtij ndryshimi, kufiri maksimal për aplikimet, për rezidencë të përhershme do të rritet në 300,000 jen, 30 herë më shumë se kufiri aktual prej 10,000 jen.
Gjithashtu, deri në 100,000 jen (600-640 euro) do të kushtojë ndryshimi i statusit të qëndrimit ose zgjatja e lejes së qëndrimit, nga 10,000 jen (60-65 euro) që ishte më parë. Autoritetet që mbështesin rritjen e tarifave thonë se Japonia duhet t’i përafrojë çmimet e vizave dhe qëndrimit me ato të vendeve të tjera të G7-tës.
Në SHBA, për shembull, tarifat për vizat jo-emigruese variojnë nga 185 deri në 315 dollarë (170- 290 euro), shkruan ATSh. Ndërsa në Britaninë e Madhe, një vizë standarde afatshkurtër deri në gjashtë muaj kushton 135 paund (158 euro).
