Shpërndaje në: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka shkruar të dielën se shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë. Ai ka thënë se “karvanë politikë nga Prishtina e Tetova” paraqiten në Tiranë si diasporë, gjë që sipas tij dëmtojnë imazhin e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, ka akuzuar Vetëvendosjen për përfshirje në protesta, por jo edhe liderin e saj, Albin Kurti, që është kryeministër në detyrë i Kosovës Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka kritikuar qytetarët nga Kosova e Maqedonia e Veriut që morën pjesën në protestën e së shtunës mbrëma në Tiranë kundër qeverisë që udhëheq ai.
Duke marrë shkas nga një postim i një qytetareje, Rama ka shkruar të dielën në Facebook, se shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë. Protesta e së shtunës mbrëma, e 21-ta me radhë ishte e dedikuar për diasporën e Shqipërisë.
Në postimin e tij, Rama ka përfshirë edhe Vetëvendosjen, partinë në pushtet në Kosovë, që sipas tij është përfshirë më “çorbë dreqërish”. Megjithatë e ka kursyer liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti nga gjithë kjo.
“Dhe të mos spekulojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrsesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish.
Nuk e them këtë hiç asfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanet e veta dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, ka shkruar Rama, pasi ka folur për protestuesit nga Kosova.
Në postimin e tij, Rama ka thënë se “karvanë politikë nga Prishtina e Tetova” paraqiten në Tiranë si diasporë, gjë që sipas tij dëmtojnë imazhin e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai ka ngritur edhe pyetjen nëse ata që duan shqiptarët në konflikt dhe rrëmujë gëzohen kur shohin, sipas tij, një “diasporë” nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut që shkon drejt Tiranës për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë.
Rama ka theksuar se sponsorët e këtyre veprimeve po shpenzojnë para vetëm për t’i bërë dëm imazhit kombëtar dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Kur ushtarët e verbër të karvanëve politikë nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si ‘diasporë’, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë: Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë ‘diasporë’ të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?”, ka shkruar Rama.
Ai ka kritikuar edhe shfaqjen e flamujve të UÇK-së në protesta, duke thënë se kjo paraqet keqpërdorim të simboleve kombëtare. “Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë!
Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse”, ka shkruar ai. Protestat në Shqipëri nisën kundër projektit të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner për ndërtim hotelesh luksoze në ishullin e Zvërnecit, e po ashtu edhe kundër projekteve në Lagunën e Nartës.
Edi Rama, pos Vetëvendosjes e Kosovës, për nxitje të protestave ka akuzuar në fillim Greqinë, me pas Serbinë dhe Iranin. Protetestat nuk janë ndalur për asnjë ditë që nga nisja e tyre dhe të dielën mbrëma është mbajtur e 22-ta me ardhë.
“Jemi sot së bashku në këtë shesh, të gjithë ne, të gjithë shqiptarët së bashku, të mbledhur në këtë vend për të protestuar kundër këtij regjimi, këtij regjimi të korruptuar, për të pasur ndryshime në sistemin tonë politik, për të ndryshuar sistemin dhe për t’i kërkuar këtij Kryeministri të japë dorëheqjen, dorëheqjen e menjëhershme dhe për ta përgatitur vendin për zgjedhje paraprake me një qeveri të re teknike e cila do të jetë roje e zgjedhjeve të lira për popullin shqiptar për herë të parë në 36 vjet”, ka thënë qytetari Erion Muska në protestën e së shtunës mbrëma, ku mijëra qytetarë të Shqipërisë që jetojnë jashtë vendit i janë përgjigjur thirrjes për bashkim në sheshet e Tiranës.
Në protesta, nga dita e parë, vazhdimisht është bërë thirrje për dorëheqjen e Ramës, e një prej thirrjeve më të zakonshme është edhe ajo “Rama në burg, (Sali) Berisha në burg”.
