Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka komentuar zhvillimet e fundit ku Gjykata Kushtetuese ka vendosur për shfuqizimin e emrave shqip të rrugëve dhe sheshit të Tetovës. Ai tha se e gjithë kjo situatë është një politikë manipulative e ndërtuar për vitë radhazi nga Bashkimi Demokratik për Integrim si dhe Ali Ahmeti. “Me sllavët, me maqedonasit nuk punohet kështu.
Sepse ata kur janë ngusht bëjnë marrëveshje, por pastaj e rinegociojnë atë marrëveshje deri sa të lodhin. Fatkeqësisht kjo është vetëm maja e Ajsbergut të një politike manipuluese të BDI-së dhe Ali Ahmetit. Emrat e rrugëve zyrtarisht nuk kanë ekzistuar kurrë, as përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, as çlirimi i popullit”, tha Thaçi.
Ai u shpreh se sa më shumë kohë do të kalojë, aq më shumë do të zhgënjehën qytetarët nga gënjeshtrat e BDI-së. Kujtojmë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, partia VLEN akuzoi BDI-në se po mundohen të krijojnë skenare ndëretnike tashmë kur çështja e emërtimit të lagjeve po vendoset nga një komision komunal, ndërsa nga BDI thanë së qyteti i Tetovës ka historinë e saj shqiptare, ndaj rikthimi i emrave jugosllav tregon pafuqinë e VLEN-it për të kundërshtuar vendimet anti-shqiptare.
