“Sy më sy” rrëfen me bebëzat e të dhunuarve në luftë

0%

Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Në vend të fotografive të zakonshme, ekspozita e përkthen rrëfimin në gjuhë të pazakontë vizuale. Syri bëhet pikëtakim mes të kaluarës dhe së tashmes, midis atyre që kanë bartur plagët e luftës dhe një publiku që ftohet jo vetëm të shoh, por të reflektojë mbi atë që sheh. Ashtu sikur reflekton në kornizën që mbulon secilën bebëz të syrit.

“Sy më sy” është thirrje për përballje e njohje. Nëpërmjet bebëzave të të mbijetuarve të dhunës seksuale depërtohet te dhimbja, por edhe te forca, guximi dhe thyerja e heshtjes Në muret e bardha, në qendër të secilit prej katrorëve të zinj, objektivi i fotoaparatit sjell nga bebëzat e zmadhuara, vija, ngjyra e rrathë. Por përtej gjurmëve biologjike, aty ka dëshmi e kujtime.

Janë histori që për dekada kanë jetuar mes heshtjes, dhimbjes dhe përjashtimit. Është ekspozita “Sy më sy” e cila ka sjellë në publik një prej qasjeve më të ndjeshme artistike dhe memoriale ndaj plagës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në vend të fotografive të zakonshme, ekspozita e përkthen rrëfimin në gjuhë të pazakontë vizuale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Syri bëhet pikëtakim mes së kaluarës dhe së tashmes, midis atyre që kanë bartur plagët e luftës dhe një publiku që ftohet jo vetëm të shohë, por të reflektojë mbi atë që sheh. Ashtu sikur reflekton në kornizën që mbulon secilën bebëz të syrit. Sipas konceptit kuratorial, irisi shndërrohet në metaforë të njohjes, pranimit dhe përballjes.

Në hyrje të ekspozitës theksohet se ajo përfaqëson një moment të rëndësishëm në angazhimin shumëvjeçar për dokumentimin e përvojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale, duke e trajtuar irisin si një portal kompleks që lëviz ndërmjet peizazhit të brendshëm psikologjik dhe vështrimit të jashtëm të shoqërisë.

E hapur në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt që shënohet më 19 qershor, ekspozita është organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe “Pro Peace Kosovo”.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, ka thënë se vetë emri i ekspozitës është thirrje për ballafaqim të drejtpërdrejtë me të vërtetën. “E kemi emëruar këtë ekspozitë ‘Sy më sy’, sepse kërkojmë shpeshherë që kur duam t’i tregojmë dikujt të vërtetën i themi: më shiko në sy.

Me anë të bebëzave të syve të kësaj ekspozite arrijmë ta shohim dhimbjen e personave të mbijetuar të dhunës seksuale, edhe forcën, pritjen, por edhe guximin. Nganjëherë mund ta shohim edhe dhimbjen, por edhe t’i rikujtojmë viktimat tjera që nuk janë fatkeqësisht në mesin tonë, por edhe shpresën e atyre që luftojnë për drejtësi”, është shprehur ajo.

Rushiti ka vlerësuar se ekspozita është kujtesë për dialogun e domosdoshëm ndërmjet të mbijetuarve, familjarëve dhe shoqërisë. “Mijëra familje, për vite me radhë, kanë bashkëjetuar me traumën e të mbijetuarve. Kanë ndarë lot, heshtje, dhimbje, por e kanë mbajtur edhe peshën e stigmës bashkërisht me viktimat e dhunës seksuale. Sepse dhuna seksuale nuk e prek vetëm një njeri.

Ajo prek familje të tëra dhe shpesh vazhdon të mbetet edhe te brezat që na vijnë pas”, ka thënë Rushiti. Organizata që drejton ka plot 27 vjet ekzistencë. Përgjatë gjithë kësaj kohe, ka qenë adresë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, megjithatë, sipas Rushitit, rruga drejt shërimit dhe drejtësisë nuk ka përfunduar ende.

“Plot 27 vjet me radhë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka qëndruar pranë të mbijetuarve.

Ka dëgjuar histori që thyejnë zemrën, ka punuar për t’u dhënë të mbijetuarve dinjitet dhe besim, kemi parë të mbijetuar që pavarësisht traumës dhe përjashtimit, kanë gjetur guxim të vazhdojnë përpara, të kërkojnë shërim e drejtësi dhe të bëhen zëri i ndryshimit për të mbijetuarit tjerë. Megjithatë rruga drejt shërimit dhe drejtësisë nuk ka përfunduar edhe sot pas 27 vjetëve.

Edhe sot, shumë të mbijetuar vazhdojnë të përballen me pasojat e traumës dhe pengesa në realizimin e të drejtave të tyre, shpesh për shkak të stigmës dhe paragjykimit që fatkeqësisht vazhdon të ekzistojë në shoqërinë tonë”, ka thënë në fund Rushiti.

Në hyrje të ekspozitës theksohet se ajo përfaqëson një moment të rëndësishëm në angazhimin shumëvjeçar për dokumentimin e përvojave të të mbijetuarve të dhunës seksuale, duke e trajtuar irisin si një portal kompleks që lëviz ndërmjet peizazhit të brendshëm psikologjik dhe vështrimit të jashtëm të shoqërisë Pranë secilit imazh, ka qëndruar edhe rrëfimi pranë irisit a portretit të personit përkatës.

Ekspozita është mbështetur në historitë gojore dhe botimet “Unë dua të dëgjohem” i 2017-s, “Përtej dhimbjes, drejt guximit” i 2021-s dhe “Zëra të padëgjuar” i 2024-s. Në qendër të saj janë imazhet e irisit të grave dhe burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, familjarëve të tyre, si dhe portretet e atyre që kanë zgjedhur të flasin publikisht për përvojat e tyre.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se shoqëria duhet t’i shohë të mbijetuarit me respekt dhe dinjitet. Ajo është shprehur se të mbijetuarit nuk duhet të mbesin në margjina të kujtesës kolektive. “Personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës janë pjesë e historisë sonë dhe e përgjegjësisë sonë shtetërore.

Ata nuk mund të mbesin skaj përkujtesës, as të përmenden vetëm në ditë të caktuara. Republika u ka borxh njohje, kujdes, drejtësi dhe jetë me dinjitet.

Siç e dini, zonja Vasfije Krasniqi-Goodman dhe zonja Shyrete Tahiri-Sylejmani janë të dërguara të posaçme për çështjen e personave të mbijetuar të dhunës seksuale, tashmë kanë bërë njoftimin publik që në ambientet e Presidencës, është një zyrë për mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si hapësirë e sigurt për këshillim, dëgjim, orientim dhe mbështetje”, ka thënë Haxhiu.

Ka inkurajuar viktimat që të aplikojnë për njohjen e statusit të personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës. “Me këtë rast shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje që personat e dhunuar gjatë luftës në Kosovë të aplikojnë për njohjen e statusit të personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë shumë të hapura të dëgjojnë edhe kërkesat që lidhen me ndryshime ligjore”, ka thënë ajo. Në mesin e portreteve që qëndrojnë në qendër të ekspozitës janë ato të Vasfije Krasniqi-Goodman, Shyhrete Tahiri-Sylejmanit dhe Ramadan Nishorit – zëra që ndër të parët e thyen publikisht heshtjen.

Pranë tyre paraqiten edhe familjarët e tyre, duke e zgjeruar rrëfimin përtej individit dhe duke treguar se trauma e luftës nuk prek vetëm një person, por rrethon familje të tëra dhe bartet nëpër breza. Në ceremoninë e hapjes kanë marrë pjesë edhe përfaqësues institucionesh ndërkombëtare.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka thënë se imazhet e ekspozuara nuk janë vetëm vepra arti. “Skanimet e irisit që po shohim këtu dhe gjithashtu portretet, nuk janë thjesht vepra arti, por janë skanime të syve dhe portrete fytyrash që janë përballur sy më sy me autorët e tyre.

Dhe ato janë një homazh i gjallë dhe i fuqishëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin”, ka thënë ai duke vazhduar se secili iris bart një histori të veçantë. “Çdo iris, që shohim këtu, është unik, pasi çdo histori është unike. Dhe mendoj se tregimi i historive të të mbijetuarve ka rëndësi.

Ndarja e tyre ndihmon në reduktimin e stigmës si në nivel individual ashtu edhe në nivel shoqëror”, ka thënë ambasadori Rudolph. Edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreave, ka thënë se ekspozita e vendos publikun përballë realitetit të përvojave të të mbijetuarve.

“Përmes këtyre imazheve të mahnitshme dhe dëshmisë pas tyre, fjalë për fjalë sjellim ballë për ballë, sy më sy, përvojat e jetuara të syve dhe të njerëzve pas syve dhe fytyrave që shohim. Është e qartë se sa elasticitet dhe guxim shohim tek ata.

Gjatë kohës sime këtu në Kosovë, kur kam pasur privilegjin të flas me burra dhe gra të mbijetuara që kanë ndarë përvojat e tyre me kaq guxim, forcë dhe dinjitet, gjithmonë kam dëgjuar të njëjtin mesazh të thjeshtë: se duam të dëgjohemi, duam të njihemi dhe duam të trajtohemi me respekt”, ka thënë ai.

Korab Krasniqi nga “Pro Peace” ka thënë se sytë e të mbijetuarve dhe familjarëve drejtojnë vëzhgimin kah publiku, por përballja nuk përfundon këtu.

“Gjuha vizuale të cilën e shihni në këtë ekspozitë lidhet me irisin e syrit, që e përfaqëson përballjen reciproke në të cilën të mbijetuarit dhe familjarët e tyre e drejtojnë vëzhgimin kah publiku, ndërsa vizitorët tërhiqen brenda këtij shikimi, i cili e reflekton pozicionin e audiencës, vëzhguesve, në vetë aktin e të vështruarit.

Në këtë kontekst, ekspozita krijon një atmosferë të përballjes, ku shikimi shndërrohet jo vetëm në proces biologjik, por në hap etik dhe politik”, ka thënë Krasniqi. Rrëfimi i Venesa Sulejmanit – vajza e Shyrete Tahirit, avokueses dhe aktivistes së të drejtave të të mbijetuarve dhe familjarëve të tyre – është gjithashtu pjesë e ekspozitës.

“Duhet të jemi ata që nuk fshihen nga vetë kujtesa që i theu dikur, të shihesh pavarësisht stigmës shoqërore dhe kulturore që kemi këtu dhe madje edhe jashtë. Si mund të ndalojmë së heshturi ne fëmijët dhe familjarët që ishin dëshmitarë të akteve të tilla të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë? Pikërisht para syve tanë.

Shoqëria nuk do të ndalonte së vepruari sikur sytë e tyre të ishin të pranishëm pikërisht në atë moment që ato akte u kryen”, ka thënë ajo. Në këtë ekspozitë, syri nuk është vetëm organ i shikimit, por edhe dëshmi e mbijetesës. Çdo iris i ekspozuar mban në vete një histori të pashlyeshme të luftës, por edhe një akt rezistence ndaj heshtjes.

“Sy më sy” nuk kërkon keqardhje, por njohje, sfidë të stigmatizimit në shoqërinë ku shumë rrëfime kanë mbetur për vite të tëra të mbyllura prapa heshtjes.

Burimi: Koha