Kuqezinjtë kaluan me sukses ndeshjen e parë kontrolluese në fazën përgatitore në Slloveni, duke mundur Koperin 2:1 në debutimin e Artim Pollozhanit në bankinë. Shkëndija nga Tetova me fitore ka nisur ciklin e ndeshjeve kontrolluese në kuadër të përgatitjeve verore në Slloveni.
Kuqezinjtë triumfuan me rezultat 2:1 përballë Koperit në ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit Artim Pollozhani, duke lënë përshtypje pozitive në paraqitjen e parë të fazës përgatitore.
Polozhani shfrytëzoi këtë test për t’u dhënë minuta pothuajse të gjithë futbollistëve në dispozicion, ndërsa i vetmi që nuk u aktivizua ishte portieri i Babacar Gaye, i cili vetëm një ditë më parë iu bashkua ekipit në Slloveni. Nga minuta e parë debutuan edhe dy përforcimet e kësaj vere, Bojan Dimoski dhe braziliani Rafael de Freitas Silva.
Ndeshja nisi me një ritëm të mirë nga të dy skuadrat, ndërsa sllovenët kaluan në epërsi në minutën e 11-të, kur pas një gabimi të portierit Amzai, përfitoi Irabor, i cili realizoi për 1:0. Reagimi i Shkëndijës ishte i menjëhershëm dhe kuqezinjtë krijuan disa situata premtuese.
Fillimisht Ndzengue devijoi mbi portë një goditje të Spahiut, ndërsa më pas Krasniqi dhe Spahiu u ndalën nga pritjet e portierit kundërshtar, që ishte ndër më meritorët për avantazhin minimal të Koperit në fund të pjesës së parë edhe pse vlen të ceket se edhe sllovenët humbën disa raste ideale. Shkëndija e nisi shumë mirë pjesën e dytë dhe gjeti shpejt golin e barazimit.
Në minutën e 50-të, pas një aksioni të ndërtuar bukur, Ndzengue asistoi për Spahiun, i cili me goditje të saktë realizoi për 1:1. Edhe më pas kuqezinjtë vazhduan të jenë skuadra më e rrezikshme, me Jakupin dhe Spahiun që iu afruan golit të dytë, por pa sukses. Kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, Shkëndija goditi në fund.
Në minutën e 89-të, pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Trumçi dhe Ibraimi, ky i fundit shërbeu për Trumçin, i cili realizoi golin e fitores për rezultatin përfundimtar 2:1. Shkëndija vazhdon punën në Slloveni, ku përveç seancave stërvitore do të kemi edhe 3 ndeshje kontrolluese.
Shkëndija-Koper 2:1 (0:1) Stadiumi Kodeljevo, Lubjanë në Slloveni Golashënues: Spahiu 50’ dhe Trumçi 89’ (Shkëndija), ndërsa Irabor 11’ (Koper) Shkëndija: Amzai, Trumçi, Fetai, Meliqi, Dimoski, Rafa, Islami, Zejnullai (c), Krasniqi, Spahiu, Ndzengue. Luajtën edhe: Ramani, Jakupi, Isa, Xheladini, Ajeti, Murati, Ibraimi, Ceka.