Elbasani është një prej skuadrave më aktive të merkatos së verës në Superiore. Zgjedhjet e bëra deri më tani, tregojnë për një përgatitje tejet të vrullshme të drejtuesve verdheblu të cilët duan të zhvillojnë një paraqitje sa më dinjitoze e të suksesshme në kualifikueset e Conference League.
Teksa shorti i rezervoi një rival të fortë në letër si Bate Borisov, skuadra e drejtuar nga trajneri Ivan Gvozdenovic ka zgjedhur që përgatitjet për sezonin e ri t’i zhvendosë në Zlatibor të Serbisë, ku padyshim, krahas emrave të konfirmuar, do t’i shtohen edhe “prurjet” e reja, e ku vetë tekniku do të ketë mundësinë t’i shoh më nga afër për t’i inkuadruar në mënyrën më të mirë të mundshme në sistemin e tij të lojës.
GJENDJA – Me rikthimin në kampin stërvitor, Elbasani ndodhet në një moment ku shumë lëvizje kanë qarkulluar, si ato në hyrje dhe ato në dalje.
Teksa sezoni që lamë pas, dha refleksionet e një paraqitje bindëse edhe pse nuk ia dolën që të shpallen kampionë, elbasanasit janë të bindur se sezoni që po vjen do të jetë akoma më frytdhënëse dhe këtë besim e ka treguar vetë Gvozdenovic në deklaratat e dhëna së fundmi.
PORTIERI- Ikja e Martin Janacek ka lënë boshllëqe që duhen mbuluar sa më shpejtë të jetë e mundur dhe kjo kuptohet qartë në ambiciet e drejtuesve për ta zëvendësuar me një profil cilësor dhe që ka potencalin thelbësor për të ofruar garanci në katërkëndëshin e portës.
Edhe pse alternativa të shumta kanë qarkulluar brenda klubit, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar se kujt do t’ia besojnë këtë pozicion.
SULMI – Shumë afrime me karakteristika interesante mund të quhen ato të Ledjo Tresës, Rubin Hebajt, Ardit Nikajt dhe Edoly Lukokit, të cilët i kanë dhënë një tjetër energji ofensivës dhe këtu shtohen edhe “hallet” për mirë të trajnerit që përballet me një luks alternativash. OBJEKTIVAT – Fillimisht duhet fokusuar sytë tek një ndeshja kualifikuese në UEFA Conference League.
Shorti i vuri përballë një kundërshtari tejet të vështirë, por këtu kuptohet realisht se çfarë potenciali ka në të vërtetë Elbasani përtej kampionatit vendas. E sidomos, kur duhet të tregosh lartësitë, rrugëtimi i deritanishëm e vërteton “katapultimin” e verdhebluve, plot ambicie dhe dëshirë për t’u përmirësuar.
Mandej, vjen edhe sezoni i ri, aty ku nis edhe “marshi” për të hedhur themelet e një projekti fitues, më shumë se thjesht një top 4-she.
