Në Ditën e Çlirimit të Vushtrrisë, kreu i komunës, Ferit Idrizi ka uruar qytetarët në kuadër të kësaj dite. Përmes një postimi në Facebook, u bë e ditur se Idrizi së bashku me kabinetin qeverisës, Gjeneralin Rrahman Rama, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe familjarët e dëshmorëve, bënë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Bletaj, duke nderuar me respekt të veçantë sakrificën dhe amanetin e tyre për një Kosovë të lirë. “Në këtë ditë të shënuar për qytetin tonë, me respekt dhe mirënjohje të thellë, përulemi para veprës së atyre që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë që e gëzojmë sot. Dëshmorët e kombit janë themeli i lirisë sonë, ndërsa kujtimi për ta mbetet i përjetshëm”, u shpreh Idrizi. Më tutje, Idrizi vlerësoi se 17 Qershori mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e Vushtrrisë. “Një ditë që na rikujton sakrificën e bijve dhe bijave më të mira të saj, të cilët me guxim dhe përkushtim bënë të mundur ardhjen e lirisë. Urime Ditën e Çlirimit Vushtrri!”.
