Përveç 3 golave ndaj Algjerisë, ylli argjentinas ka përfunduar në shënjestër për një episod negativ, ku i shpëtoi ndëshkimit maksimal. Polemika, gjithmonë polemika. Rrjetet sociale kanë shpërthyer kundër Lionel Messi-t: “Messi u fal!”, “Messi duhej ndëshkuar me karton të kuq!”, “Messi nuk duhej ta mbyllte ndeshjen”. “Gjykata” e rrjeteve sociale është hedhur menjëherë në sulm pas ndeshjes Argjentinë-Algjeri, ku fenomeni argjentinas realizoi një tripletë të mrekullueshme. Episodi që ka ngritur shumë diskutime lidhet me një ndërhyrje të ashpër të Messi-t pas golit të parë. Në minutën e 31-të ai godet nga prapa mbrojtësin Aissa Mandi. Ndërhyrje shumë e ashpër, natyrisht e paqëllimshme. Aissa Mandi vazhdon lojën më pas dhe për Messi-n asnjë ndëshkim. Të gjithë e kanë quajtur të turpshëm qëndrimin e arbitrave dhe VAR-it, duke mos dhënë as karton të verdhë. Gjykimet në rrjetet sociale janë për karton të kuq, që do të ndryshonte ndeshjen. Edhe specialistët e futbollit, mes tyre edhe Tiery Henry, një admirues i argjentinasit, ka pohuar se është ndërhyrje për karton të kuq. “Nuk mund të ketë një rregullore për Messi-n dhe një rregullore tjetër për të tjerët”, – tha francezi.
