Angelina Jolie thotë se dëshiron të largohet nga Hollywoodi, por nuk mundet për shkak të parave

0%

Aktorja e njohur hollywoodiane, Angelina Jolie, ka bërë disa deklarata të sinqerta për jetën dhe karrierën e saj, duke pranuar se ndihet e kufizuar në Hollywood dhe se do të dëshironte të largohej nga Los Angelesi, por nuk mund ta bëjë këtë për arsye financiare. Në një intervistë për Wall Street Journal Magazine , ylli i filmave të shumtë rrëfeu se, po t’i duhej ta niste sot karrierën nga e para, ndoshta nuk do të zgjidhte rrugën e aktrimit. Jolie tha se, megjithëse do të dëshironte të hiqte dorë nga aktrimi, nuk e ka këtë mundësi nëse dëshiron të vazhdojë të jetojë sipas standardit të jetesës që ka ndërtuar ndër vite. Sipas saj, puna si aktore vazhdon të jetë burimi kryesor që i siguron të ardhurat e nevojshme për të mbështetur familjen dhe stilin e saj të jetës. Aktorja fituese e çmimit Oscar foli gjithashtu për dëshirën e saj të madhe për t’u larguar nga Los Angelesi, të cilin e përshkroi si një vend “sipërfaqësor”. Ajo zbuloi se shpreson që në të ardhmen të kalojë më shumë kohë në shtëpinë e saj në Kamboxhia dhe një ditë të zhvendoset atje. Foto: Angelina Jolie/Instagram “Kjo lidhet me atë që ndodhi pas divorcit tim. E humba mundësinë për të jetuar dhe udhëtuar lirshëm”, u shpreh Jolie, duke iu referuar betejës së gjatë ligjore me ish-bashkëshortin e saj, Brad Pitt. Ajo shtoi se do të largohet nga Los Angelesi sapo t’i krijohet mundësia. Në rrëfimin e saj, Jolie pranoi se vitet e fundit kanë qenë emocionalisht të vështira dhe se nuk ka pothuajse fare jetë sociale. “Nuk kam ndonjë jetë të mirëfilltë sociale”, tha ajo. Aktorja vuri theks të veçantë te roli i nënës, duke treguar se lindja e fëmijëve ndryshoi tërësisht mënyrën se si e shihte jetën. “U bëra nënë në moshën 26-vjeçare. E gjithë jeta ime ndryshoi. Fëmijët më shpëtuan dhe më mësuan ta jetoj këtë botë në një mënyrë krejt tjetër”, u shpreh ajo. Jolie zbuloi gjithashtu se prej rreth dhjetë vitesh nuk ndihet plotësisht vetvetja. “Mendoj se kohët e fundit do të kisha rënë në një gjendje shumë më të errët po të mos ishte dëshira ime për të jetuar për fëmijët e mi”, tha aktorja. Megjithatë, pavarësisht sfidave personale, ajo po i kushton vëmendje projekteve të reja. Një prej tyre është marka e saj e modës, Atelier Jolie , e cila po i ofron një fokus të ri larg industrisë së filmit, një botë që, sipas saj, nuk e ka konsideruar kurrë si gjënë më të rëndësishme në jetë. Aktorja zbuloi se aktrimin e kishte nisur pjesërisht edhe me nxitjen e nënës së saj, ndërsa sot po kërkon mënyra të reja për të shprehur veten dhe për të ndërtuar kapituj të rinj në jetën e saj.

Burimi: Telegrafi